Jurgen Klopp nervoz! Trajneri i Liverpool tani u kap me orarin e ndeshjeve. Gjermani, i cili në fund të sezonit largohet nga “Anfield Road”, ka mbrojtur lojtarët e tij dhe ka thënë se pret që agjencia e të drejtave të njeriut të ndërhyjë në krijimin e orarit.
“Orari është absolutisht i çmendur. Nuk është normale që Liverpool të luajë një lojë të shtunën në orën 12:30. Duhet të luajmë të enjten, të dielën, të mërkurën. Më pas të shtunën në orën 12:30 ajo që po na bëjnë është krim. Në fakt prisja që Amnesty International të shkonte tek ta”, ka thënë Klopp.
Liverpool është një ekip me një numër të madh tifozësh në mbarë botën dhe luan në momente të veçanta pasi kjo i konvenon mbajtësit të drejtave televizive. Skuadra e Klopp përjetoi një sërë dështimesh, të cilat e vështirësuan ecurine për të luftuar për titullin kampion.
Jurgen Klopp ka folur këtë të premte edhe për incidentin me egjiptianin Mohamed Salah në ndeshjen kundër West Hamit. “Faraonit” nuk i pëlqeu ajo që i tha trajneri gjerman kur ai po hynte në fushë dhe egjiptiani iu përgjigj duke refuzuar të fliste me gazetarët pas fishkëllimës së fundit.
Klopp ka thënë se kjo është zgjidhur plotësisht, pasi që njihen shumë moti njëri me tjetrin. “Është zgjidhur plotësisht…, dua të them, nuk ka problem, po të mos ishim njohur për kaq shumë kohë, nuk e di si do të zgjidhej, por ne njihemi prej kaq shumë kohësh, e respektojmë njëri-tjetrin, gjithçka është në rregull. Është histori e mbyllur”.
“Në një situatë ideale, të gjithë janë në vendin më të mirë, fitojmë ndeshjet dhe shënojmë shumë gola dhe incidente të tilla nuk ndodhin”, ka thënë Klopp.