Jurgen Klinsmann, ish-sulmuesi i Interit, foli për “Gazzetta dello Sport” rreth sfidës së mbrëmjes së sotme midis Interit dhe Bayer Leverkusen: “Ishte e pamundur të ruhej mesatarja e sezonit të kaluar. Skuadra e Leverkusenit bëri diçka të papërsëritshme, nuk është normale të fitosh titullin e Bundesligës pa humbur asnjë ndeshje.
Një rënie psikologjike ishte e parashikueshme, logjike. Kështu shpjegohen disa barazime të tepërta të këtij sezoni, por tani kampionët gjermanë në fuqi janë rikthyer në formë dhe në Champions mund të arrijnë ndër 8 më të mirët.
Fatkeqësisht, në kampionat janë përballur me një Bayern Munich të zemëruar dhe të uritur. Kur bavarezët e nisin me shpejtësinë 300 km/h, rrallë dështojnë në arritjen e qëllimit. Gjithsesi, edhe një sezon pa trofe nuk i zbeh aspak meritat e rrugëtimit të Xabi Alonsos”.
A mendoni se bëri mirë që qëndroi te Bayer Leverkusen?
Ka bërë zgjedhjen më të mirë, jo vetëm për “makinën” që ka ndërtuar me shumë punë. Vlerësoj modestinë e tij dhe elegancën në çdo gjë që thotë. Bayer është një skuadër për t’u ndjekur, për t’u studiuar në detaje, veçanërisht në lëvizjet e saj sulmuese. Është jashtëzakonisht e rrezikshme, dhe këtë e di gjithë bota, lëre më Inzaghi, i cili, si Xabi, është në nivelin më të lartë europian.
Nëse do të shkonte menjëherë te Real Madridi ose Liverpool-i, Alonso do të ndiente presionin për të fituar menjëherë në Europë, ndërsa te Leverkusen askush nuk i kërkon mrekulli të tjera. Edhe një vit tjetër përvojë aty është si mjalti, vetëm i bën mirë.







