Jurgen Klopp do të largohet nga Liverpool-i në fund të sezonit. Lajmi është zyrtar, është bërë i ditur nga vetë trajneri gjerman disa muaj më parë, ndërsa ditët e fundit edhe klubi i “Anfield” ka gjetur një zëvendësues, duke identifikuar Arne Slot të Feyenoord. Ndërkohë ka zëra për të ardhmen e trajnerit gjerman.
Klopp vendosi të ndalojë, të pushojë së paku një vit, për të rikuperuar energjitë. Më shumë se një herë, në konferenca për shtyp, ai përsëriti nevojën për të qëndruar një kohë në shtëpi, për të marrë frymë, për t’u qetësuar. Në fakt do të jetë kështu për të paktën një vit. Por, sipas asaj që raportoi “The Independent”, e ardhmja e tij mund të jetë aty ku ishte e kaluara: te Borussia Dortmund.
Trajneri i verdhezinjve mes viteve 2008 dhe 2015, Klopp, është një legjendë e BVB. “Ai i dha formë klubit tonë”, – tha Edin Terzic disa muaj më parë. Dhe kështu është. Ky lajm i tabloidit britanik parashikon rikthimin e tij në Dortmund, por jo si trajner. Flitet për marrjen e pozicionit të drejtorit teknik, detyrë që mbahet nga Sebastian Kehl, kontrata e të cilit skadon në vitin 2025.
Thashetheme, asgjë më shumë. Thashethemet që bëjnë mediat gjermane “të hapin veshët”. Në fakt, disa transmetues raportuan lajmet që vinin nga Mbretëria e Bashkuar, duke treguar gjithë skepticizmin e tyre. Është e vështirë të besohet se Klopp dëshiron të ndalojë stërvitjen, në vend që të hipotezojë për rikthimin e tij te Borussia Dortmund. Kush do të ketë të drejtë?