Klopp emërohet trajner i Gjermanisë. Misioni? Rikthimi i “Mannschaft” në elitën botërore

24 Korrik 2026
11:41
Alfred Lleshi
back button

Zyrtare, Jürgen Klopp është trajneri i ri i kombëtares së Gjermanisë. Ish-tekniku i Liverpool-it do të drejtojë “Mannschaft” në “Euro 2028” dhe Kupën e Botës 2030, me objektivin për ta rikthyer prestigjin e humbur pas një dekade dështimesh.

Klopp zëvendëson Julian Nagelsmann, i larguar pas eliminimit zhgënjyes nga Botërori 2026 ndaj Paraguajit. “Dy vite më parë u largova nga Liverpool-i dhe thashë se më mungonin energjitë për një sfidë të re, por tani ndihem i rikuperuar”, – deklaroi ai.

Trajneri gjerman ka dëshmuar aftësi për të ndërtuar skuadra fituese. Me Borussia Dortmund fitoi dy Bundesliga dhe arriti finalen e Champions League, ndërsa me Liverpool-in fitoi Champions League dhe Premier League pas 30 vitesh pritje.

Gjermania shpreson që Klopp të nxjerrë maksimumin nga një brez me emra të tillë si Musiala, Wirtz, Kimmich, Havertz e talente të tjera. Që nga triumfi në Botërorin 2014, Gjermania nuk ka fituar asnjë ndeshje me eliminim direkt në Botëror, ndërsa në Kampionatin Europian ka dështuar të rikthehet në nivelet e dikurshme.

“Kombëtarja mund të na bashkojë ne gjermanët si pothuajse asgjë tjetër. Dua të ndërtojmë një ekip që lufton së bashku dhe që njerëzit tanë e mbështesin me bindje të plotë”, – tha Klopp.

 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit