Shpresat e tifozëve madrilenë për ta parë Jürgen Klopp në stolin e Real Madridit janë shuar shumë shpejt. Pas eliminimit të “Los Blancos” nga Champions League, u përfol gjerësisht për një largim të mundshëm të Carlo Ancelottit dhe ndër emrat e përmendur si pasues të tij ishte pikërisht trajneri gjerman.
Sipas “UOL Esporte”, Klopp ishte në radarin e Florentino Perez dhe thuhej se do të ishte gati ta merrte në konsideratë një ofertë, qoftë nga Madridi apo nga kombëtarja e Brazilit. Por kjo hipotezë është shuar nga përfaqësuesi i trajnerit, Marc Kosicke, i cili ka folur për “Sky Germany”:
“E kuptoj që ka pasur interesim nga klubet më të mëdha në Europë apo nga disa federata për Klopp, por ai nuk ka ndërmend të marrë një rol si trajner kryesor sezonin e ardhshëm. As në Madrid, as në Brazil”.
Deklarata vjen gjithashtu si reagim ndaj pakënaqësisë së shfaqur nga “Red Bull”, ku Klopp ka një rol si drejtor global, pas largimit nga Liverpool-i. Sipas mediave gjermane, kompania nuk ishte aspak e kënaqur me spekulimet në rritje.
“Jurgen është i lumtur me rolin që ka te ‘Red Bull’ dhe ka një kontratë në fuqi. Prandaj, nuk ka asgjë më për të shtuar”, – përfundoi Kosicke. Pra, për momentin, ëndrra “Klopp në Madrid” është mbyllur para se të fillonte vërtet.







