Koeman largon presionin: Sfida ndaj Atletico Madridit e rëndsishme, jo vendimtare

7 Maj 2021
15:00
Alfred Lleshi
back button

Ronald Koeman ka analizuar ndeshjen e nesërme kundër Atlético Madridit në “Camp Nou”. Trajneri holandez nuk do të jetë në stol, pasi do të vuajë ndeshjen e dytë pezullim, pas kartonit të kuq kundër Granadës. Ndëshkim i cili beson se është i padrejtë dhe ka një motiv personal. Prandaj ndihet i persekutuar.

Ndeshja kryesore – “Ne jemi dy skuadra shumë të mira, që luftojmë me njëra-tjetrën për titullin. Nuk mund ta krahasojmë njëri-tjetrin, stili i secilit është i ndryshëm. Ka mënyra të ndryshme për të fituar. Duhet të jesh i fortë, të kesh topin dhe të jesh efektiv”.

Mesazhi – “Në një sezon ka raste uljesh dhe ngritjesh. Ne kemi rikuperuar pikë për të qenë aty ku jemi. Disa muaj më parë nuk e imagjinonim këtë. Duhet të jesh i fortë mendërisht dhe të luash mirë. Duhet të jesh agresiv edhe pa top. Ne jemi të bindur se do të luajmë një ndeshje të mirë”.

Vendimtare – “Unë nuk mendoj se rezultati i kësaj ndeshjeje është vendimtar, por është i rëndësishëm”.

Luis Suarez – “Është ndeshje e çuditshme për të dhe për lojtarët në ekipin tonë. Por, jemi profesionistë dhe secili bën maksimumin për skuadrën e tij. Duhet të shohim se si ta markojmë, si t’i bëjmë presion…”

Titulli – “Për të qenë kampion, duhet të fitosh gjithçka. Nëse e bëjmë, ne do të jemi kampionët”.

Ansu Fati – “Unë nuk kam folur me të. Mjeku foli me të dje pasdite. Ne e kemi inkurajuar. Ai ka qenë i dëmtuar për një kohë të gjatë. Ka gjëra që nuk kanë shkuar mirë… E rëndësishme është që të rikuperohet”.

Dembélé – “Unë i kam të gjithë në listë. Formacioni është dhe çështje teknike. Ai mund të jetë në stol. Kemi nevojë për të gjithë lojtarët. Do të aktiviojmë ata që mendojmë se janë më të mirët për ta fituar ndeshjen”.

Mentaliteti – “Mentaliteti dhe fiziku janë të rëndësishëm, varet nga stili. Stili ynë është i ndryshëm nga ai i Atlético. Duhet të kesh thellësi, të jesh bashkë edhe pa top, të mbrohesh mirë. Ndeshja nuk është vetëm fizike apo mendore, është gjithçka e futbollit”.

Real Madridi doli nga Champions-i – “Nuk mendoj se ndikon në La Liga. Duhet të pranosh fatin dhe të vazhdosh përpara”.

Messi – “Ai ka dominuar për shumë vite dhe unë e kam kuptuar, tashmë në verë, se është mjaft i interesuar për taktikat e ekipit, për pozicionet, mënyrën se si bëni presion… Leo ka shumë cilësi dhe gjithashtu mendon jo vetëm për veten, por edhe të tjerët. Performanca e tij na ndihmon për fitoret”.

Atlético Madrid – “Disa herë ka shkuar përpara për të presuar më shumë se zakonisht. Duhet të jemi të përgatitur. Ne e dimë që Barça është një ekip sulmues, por ka mënyra të tjera për të arritur fitoren. Secila, në varësi të situatave dhe kundërshtarit. Duhet të jeni shumë mirë edhe në lojën pa top”.

Planifikimi i sezonit të ri – “Gjëja më e mirë do të ishte që Leo të qëndronte, sepse kështu vazhdojmë me më të mirin në botë. Ky do të ishte planifikimi më i mirë. Të gjitha klubet flasin se si të përmirësohen, të gjithë bëjnë përpjekjet e tyre në merkato”.

Përgatitja mendore – “Kjo javë nuk ka qenë ndryshe nga të tjerat. Ne kemi qenë së bashku për një kohë dhe kemi biseduar e analizuar kundërshtarin. Nuk ka nevojë të bëhet ndonjë ndryshim. Të gjithë e dinë rëndësinë e lojës së nesërme”.

Arbitri – “Unë mendoj se është më mirë nëse nuk flasim për gjyqtarët. Në përgjithësi, federata vendos më të mirin për këto lojëra. Duhet të shpresojmë se do të marrë vendimet e duhura. Shpresojmë që VAR dhe arbitri të marrë vendime të drejta për ne dhe për Atlético”.

Sanksioni personal – “Unë mendoj se është diçka personale, sepse të thuash ‘çfarë personazhi’ nuk është fyese, nuk është një arsye për ndëshkuar një trajner me dy ndeshje. Ekziston diçka tjetër pas dënimit tim”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit