Kohë “pazari”, Interi dhe Milani ideojnë shkëmbimin e mesfushorëve

14 Janar 2020
10:57
Alfred Lleshi
back button

Kjo mund të jetë java vendimtare për t’u gjallëruar merkatoja e Interit. Antonio Conte po pret përforcime të reja, që të jetë në gjendje ta vazhdojë luftën me Juventusin për “Scudetto”. Sidoqoftë, blerjet kalojnë edhe nga shitjet, si ajo e Matias Vecino, i cili, sipas “La Gazzetta dello Sport”, ka përfunduar jashtë planeve të stafit teknik për shkak të disa sjelljeve, që nuk kapërdihen dot nga trajneri salentin. 

Ndjenjat e mira nuk kanë ekzistuar asnjëherë mes të dyve, ndaj kjo është arsyeja pse mund të presim veprim konkret nga klubi. Zikaltrit e kanë përfshirë Vecino në negociatat me Tottenham, si një “kusur” për të marrë Christian Eriksen. Ky propozim është refuzuar nga “Spurs”. Së shpejti mund të hapet një skenar tjetër, në aksin Inter-Milan. Siç raportohet nga “Corriere della Sera”, në fakt, ideja e një shkëmbimi midis uruguajanit dhe Franck Kessié po merr jetë. Tani për tani, për menaxherin e kuqezinjve, Zvonimir Boban, ky shkëmbim nuk është shumë bindës. 

Të dy lojtarët kanë një vlerësim të ngjashëm, ndaj ky aspekt mund të jetë vendimtar në rast të “tymit të bardhë”. Kessié kishte përfunduar në qendër të thashethemeve për një shkëmbim tjetër midis “kushërinjve” të Milanos, me Politano, megjithatë ky i fundit destinohej të kthehej në Romë, gjë që do të kthejë Spinazzola te zikaltrit. Mbi të gjitha, ëndrra e Interit për janarin mbetet Eriksen, i cili është bërë objektiv parësor për mesfushën në dritën e vështirësive që kanë lindur për arritjen e marrëveshjes me Vidal. 

Tottenham kërkon 20 milionë euro për ta lënë danezin të largohet menjëherë dhe të shmangë humbjen e tij me parametra zero gjatë verës. Marotta do të shpenzojë pak më pak, i inkurajuar nga sinjalet pozitive të përfaqësuesve të mesfushorit danez, pas ofertës kontraktuese për këtë të fundit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit