Kolo Muani dhe Conceição, “kopertina” e fitores 5-0 të Juventusit. E ardhmja e tyre në dyshim

19 Qershor 2025
8:00
Alfred Lleshi
back button

Juventusi fitoi dhe bindi në debutimin e tij në Kupën e Botës për Klube kundër modestëve e Al Ain nga Emiratet. Një ndeshje që nuk pati asnjëherë histori, e dominuar nga bardhezinjtë nga fillimi deri në fund, siç tregon edhe rezultati përfundimtar 5-0.

Ironikisht, përveç të zakonshmit Kenan Yildiz, i brohoritur nga publiku amerikan në çdo prekje t tij të topit, pikërisht Francisco Conceição dhe Randal Kolo Muani ishin dy figurat kryesore të skuadrës së Igor Tudor në debutimin e saj në kompeticionin amerikan. Nga dy gola secili, me golat e dytë të tyre që u paraprinë nga një mrekulli e turkut, dhe fitorja e parë e siguruar.

Ironikisht, thamë, sepse të dy, deri në fund të kampionatit, nuk ishin aspak të sigurt që do të ishin pjesë e kësaj aventure në SHBA me fanellën bardhezi veshur. Për të bindur Porton dhe PSG-në që t’i linin në huazim edhe për disa javë të tjera u desh një lloj tratative e re.

Dhe kur të përfundojë aventura amerikane, do të ketë kohë dhe hapësirë për të folur edhe për të ardhmen, sepse aktualisht të dy janë të destinuar të largohen nga Torino. Juventusi po vlerëson çfarë do të bëjë, mund të provojë t’i mbajë, por asgjë nuk është vendosur ende. Dhe kush e di, ndoshta kjo Kupë e Botës për Klube do të ndihmojë për të sqaruar idetë në këtë drejtim.

Conceição kishte ardhur në huazim të pastër për 7 milionë euro, me klauzolë blerjeje prej 30 milionësh. Kolo Muani do ta përfundojë huazimin pa klauzolë blerjeje, por ideja mund të jetë rinovimi i huazimit, këtë herë me të drejtë blerjeje që do t’iu vendosej në tryezë drejtuesve në “Continassa”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit