“Kombëtares italiane i duhej një si Gattuso, Ancelotti mund të bëjë shumë mirë te Brazili”

21 Qershor 2025
13:01
Alfred Lleshi
back button

I pranishëm në “Forte Village” për një turne padel-i, që do ta shohë në finale, ish-portieri legjendar i Milanit dhe i kombëtares braziliane, Nelson Dida, foli për mikrofonat e “Sky Sport”. Ia nisi nga zgjedhja e Brazilit për t’i besuar ish-trajnerit të tij, Carlo Ancelotti:

“Është kënaqësi të dish që Ancelotti ka mbërritur te Brazili. Është një trajner i madh, një njeri që i ka fituar të gjitha në futboll. Jam i lumtur që tani e ka këtë mundësi. Në dy ndeshjet e para, ai tashmë ka rregulluar diçka, duke arritur të mos pësojë gola. Tani do të ketë edhe dy ndeshje të tjera vendimtare para Botërorit të vitit të ardhshëm. Jam i sigurt që do të dijë ta menaxhojë një grup shumë të fortë lojtarësh. Sipas meje mund të bëjë shumë mirë”.

Për Allegri te Milani: “Pres të bëjë mirë. Pas sezonit të fundit ishte e nevojshme të ndryshohej drejtimi dhe të nisej një cikël i ri me trajner që e njeh ambientin, ku ka fituar më parë. Sipas meje mund të synojë kthimin në Champions dhe të luftojë për titull”.

Për Gattuson si trajner i Italisë: “Jam i lumtur për të, sepse është një mik i imi. Si trajner është rritur shumë dhe tani ka një mundësi të madhe. Do të sjellë shumë grintë, kombëtares italiane i duhet një trajner si ai. I uroj shumë fat dhe shpresoj që të arrijë ta çojë Italinë në Botëror”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit