Kompany përgëzon Barcelonën: Nuk ka justifikime për një humbje si kjo…

24 Tetor 2024
8:46
Alfred Lleshi
back button

Vincent Kompany nuk ka dashur të justifikohet për humbjen 4-1 të Bayernit ndaj Barçës në Montjuïc. Trajneri belg, i cili erdhi në pankinën bavareze verën e këtij viti për të zëvendësuar Tuchel, nuk kërkon justfikime për të përligjur disfatën e hidhur: “Pse humbëm? Nuk ka justifikime për humbjen e sotme. Dua ta përgëzoj Barcelonën për këtë fitore”.

Ai pranoi se Barça i dominoi dhe se do të duhet të qëndrojnë së bashku për ta ndryshuar situatën në Champions League, pasi aktualisht bavarezët janë në vendin e 23-të, falë fitores së vetme kundër Dynamo Kyev (9-2) dhe humbjes ndaj Aston Villa (1-0): “Kemi dështuar ndaj barcelonës, ishte një humbje e qartë. Ne do të qëndrojmë të bashkuar, duhet të mësojmë nga kjo humbje”.

Barcelona nuk mund ta kishte nisur lojën më mirë, me një gol të Raphinha vetëm disa sekonda pasi Slavko Vinçiç i fryu “bilbilit” hapës të ndeshjes. Që nga ai moment, Bayern ishte më i mirë, siç u shpreh vetë ish-lojtari i City dhe Anderlech: “Goli i parë ishte shumë i hidhur. Për gjysmë ore të pjesës së parë pata ndjenjën se mund të fitonim, më pas loja ndryshoi me golin e dytë dhe të tretë. Analiza e saktë e kësaj ndeshjeje do të bëhet me qetësi, në mënyrë që ne të mësojmë prej saj”.

Pasi humbi katër ndeshjet e tij si futbollist kundër Barçës, belgu nuk donte të bënte krahasime mes Barçës me të cilën u përball dhe skuadrës aktuale të Flick: “Këto janë kohë të ndryshme, Barça gjithmonë ka pasur futbollistë të mëdhenj. Nuk mund të bëhen krahasime”.

Me rezultatin 3-1, ai hodhi në lojë Coman, Goretzka, Musiala dhe Sané, veprim që e justifikoi me përmbysjen e rezultatit: “4 zëvendësime sonte? Kemi aktivizuar shumë lojtarë, sepse kishim nevojë për energji të pastra. Katër zëvendësime nuk janë të pazakonta, kur jeni në disavantazh. Diferenca ishte e madhe në atë kohë, kështu që donim energji të reja. Donim t’i jepnim një dinamikë të ndryshme lojës, por nuk ka justifikime për këtë humbje të thellë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit