Koopmeiners mbetet ëndrra e madhe bardhezi, vetëm një ofetë e tillë mund ta bindë Atalantën

2 Korrik 2024
9:45
Alfred Lleshi
back button

Adrien Rabiot është në mëdyshje mes largimit dhe qëndrimit te Juventusi, ndërkohë që bardhezinjtë ngulmojnë të rrëmbejnë Teun Koopmeiners nga Atalanta. Klubi bardhezi është në dijeni të kontratës së skaduar të 29-vjeçarit francez, rrezikon ta humbasë atë falas, megjithëse opsioni i rinovimit është ende i vlefshëm. “Zonja e Vjetër” nuk po rri duarkryq, sidomos me një drejtor sportiv si Cristiano Giuntoli.

Pasi siguroi Douglas Luiz, ish-drejtori i Napolit tani do të dëshironte të bashkonte përpjekjet për të nënshkruar edhe me lojtarin holandez të Atalantës. Akoma nuk është arritur një marrëveshje me “Hyjneshën”, raporton “Tuttosport”, ndryshe nga akordi me vetë futbollistin e lindur më 1998. Me këtë të fundit ekziston marrëveshja për 4.5 milionë euro në vit dhe kontratë 5-vjeçare, deri më 2029.

Po si mund ta marrë holandezin nga Atalanta? Do të duhet shumë durim dhe kohë, sepse Juve fillimisht do të duhet të shesë për të riinvestuar, ose të ofrojë ndonjë kompensim në këmbim të klubit të Bergamos. Çmimi është pengues, rreth 60 milionë euro, dhe Atalanta nuk ka ndërmend ta ulë stekën. Prandaj në lojë hyn syri vigjilent i Giuntolit, i cili e di nevojën e Gasperinit për një qendërmbrojtës.

Në këtë kuptim, Dean Huijsen do të ishte i dobishëm, duke gjetur edhe interesin e Atalantës, që e kishte kërkuar në të kaluarën. Vlera e 19-vjeçarit është rreth 30 milionë euro. Në bergamaskët nuk pranojnë, Juventusi do të jetë gjithmonë në gjendje të pranojë oferta të huaja për të mbledhur para dhe dërguar në klubin e Gasperinit për holandezin.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit