Teun Koopmeiners ka qenë objektiv i Juventusit prej disa kohësh, por gara për mesfushorin e Atalantës po rezulton të jetë më e ndërlikuar nga sa mund të pritej. Sipas asaj që raportohet nga “Corriere dello Sport”, ndryshimi midis ofertës dhe kërkesës është ende i dukshëm.
Klubi bergamask nuk ka ndërmend të bëjë zbritje dhe të pranojë formula me lojtarë në këmbim. Bardhezinjtë mund të ofrojnë maksimumi 42-45 milionë euro, Percassi kërkon 60 milionë, por holandezi shtyn drejt “Zonjës së Vjetër”, me të cilën tashmë ka një marrëveshje; kontratë 5-vjeçare me 4.5 milionë euro në sezon.
Megjithatë, kjo nuk është e vetmja pjesë që Giuntoli dëshiron t’i shtojë skuadrës së tij. Në mbrojtje, emri i mirë mbetet ai i Jean-Clair Todibo i Nice, i cili tashmë i ka thënë “po” transferimit.
Në këtë rast mungon ende marrëveshja me klubin që zotëron kartonin e tij, e cila kërkon 35-40 milionë euro, krahasuar me 20-25 milionë të ofruara. Alternativa përfaqësohet nga Jakub Kiwior, që Thiago Motta e kishte tashmë te Spezia. Ai kushton 15 milionë euro, por e pëlqejnë Milani dhe Napoli, ndaj nuk mungon konkurrenca.
Lojtari i fundit që synohet të përfshihet në skuadrën bardhezi do të ishte Jadon Sancho i Manchester United, favorit për rolin e sulmuesit anësor.
Problemi është se ai kushton 50 milionë euro dhe ka një pagë 8.5 milionë neto në vit. Për më tepër, formula e huazimit nuk i josh “Djajtë e Kuq” dhe për këtë arsye ka më shumë gjasa që Borussia Dortmund ta fitojë atë.







