Koulibaly: Mirënjohës përjetë Napolit, por bëra gjithçka për t’u larguar

3 Tetor 2022
9:25
Alfred Lleshi
back button

Ndeshja e dytë e epokës së Potter te Chelsea dhe stoli i dytë për Kalidou Koulibaly. I rikthyer nga angazhimet me Senegalin, ish-mbrojtësi i Napolit e përjetoi nga stoli të gjithë ndeshjen ndaj Crystal Palace, të fituar 2-1 nga blutë. Kjo gjë kishte ndodhur edhe në Champions League ndaj Salzburgut.

Vetë Koulibaly, i intervistuar pak orë pas inaugurimit të pasardhësit të Thomas Tuchel, e kishte minimizuar këtë, duke besuar se “trajneri i ri fillimisht mbështetet te lojtarët që tashmë e njohin mjedisin”.

Në një intervistë tjetër, dhënë transmetuesit francez “Carré”, mbrojtësi thotë se është entuziast për muajt e parë të kaluar në Londër dhe aventurën e re profesionale: “Ndihem mirë te Chelsea, familja ime është është integruar në mënyrë perfekte në Londër.

Kam ardhur në momentin e duhur, luaj me lojtarë që kanë fituar shumë trofe. Më takon mua ta tregoj në fushë se trajneri mund të mbështetet tek unë. Tani për tani jam shumë i lumtur, shpresoj të vazhdoj kështu”.

Më pas Koulibaly iu kthye vendimit për t’u larguar nga Napoli, duke rikonfirmuar konceptin e “zgjedhjes së jetës”: “E dija që pas tetë vitesh koha ime te Napoli kishte mbaruar. Kur një nga klubet më të mira në botë të kërkon, dëshiron fort që të jesh pjesë e projektit të tij.

Në kësi rastesh ke pak për të bërë, nuk hezitova, bëra gjithçka për të ardhur te Chelsea. Napoli më bëri të rritem dhe do ta falënderoj përgjithmonë, fëmijët e mi kanë lindur atje. Napoli më bëri futbollistin dhe njeriun që jam, por ishte koha për të ndryshuar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit