Kounde ishte i fundit, Laporta zbulon arsyen pse yjet refuzojnë Chelsea-n dhe zgjedhin Barçën

30 Korrik 2022
16:59
Denis Hakanaj
back button

Presidenti i Barcelona-s, Joan laporta, ka zbuluar se lojtarë kanë refuzuar Chelsea-n në favor të klubit katalanas për shkak të projektit dhe trajnerit Xavi.

Blaugranat, në fakt, i kanë vjedhur Bluve disa objektiva të rëndësishëm në merkaton e kësaj vere. Një situatë kjo shumë e pakënaqshme për pronarin e ri të londinezëve Todd Boehly.

Chelsea kishte arritur një marrëveshje me Leeds-in për Raphinha-n, por braziliani ka ndryshuar mendje në momentin e fundit dhe ka pranuar ofertën e Barcelona-s.

Dhe e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Jules Kounde, i cili ka zgjedhur të transferohet në Camp Nou dhe jo një Stamford Bridge.

Klubi i Premier League ka qenë në garë edhe për të siguruar shërbimet e Robert Lewandowski, por sulmuesi polak ka patur në mendje vetëm gjigantët e futbollit spanjoll.

Sulmuesi francez Ousmane Dembele ka qenë gjithashtu afër një transferimi me kosto zero te Chelsea, por në fund ka vendosur të rinovojë me katalanasit.

Situata mund të përkeqësohet për Chelsea-n, me Barcelona-n që ka në plan të marrë edhe Cesar Azpilicueta me Marcos Alonso nga klubi anglez.

Kështu, Laporta ka deklaruar pse Barça po arrin të fitojë çdo garë në merkato me Chelsea-n. “Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe kemi respekt për kundërshtarët tanë”, ka thënë Laporta për CBS Sports.

“Pronari i Chelsea-t, Todd Boehly, është një njeri i jashtëzakonshëm. Ne duhej të ishim aktivë në merkato në mënyrë që të përmirësonim skuadrën.

“Ka qenë rastësi që disa nga lojtarët që kërkonim ne, i kërkonin edhe ata. Ata lojtarë kanë zgjedhur të vijnë te Barcelona sepse besojnë te projekti ynë, historia jonë, stili ynë i lojës dhe trajneri ynë, Xavi”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit