Kriza e madhe, Guardiola “tregon luanin”: Kemi kaluar 40 ditë të këqija, pas 8 viteve të pabesueshme…

21 Dhjetor 2024
9:07
Alfred Lleshi
back button

Pep Guardiola nuk është i kënaqur. Skuadra e tij ka fituar vetëm një nga 11 ndeshjet e fundit që ka luajtur, duke humbur derbin e Manchesterit në fundjavën e kaluar, kur e kishte praktikisht të fituar ndeshjen. Një moment luhatjeje mjaftoi që Manchester United të shënonte dy herë dhe të merrte tri pikët.

Trajneri katalanas ndodhet në momentin më të vështirë të karrierës së tij, e ka të vështirë të gjejë zgjidhjen e duhur. Sipas Guardiolës, gjithçka që skuadra e tij ka nevojë për ta ndryshuar këtë dinamikë është të rikuperojë lojtarët e dëmtuar dhe të marrë disa rezultate të mira radhazi. Ai konfirmoi se Ruben Dias do të jetë jashtë fushave tri deri në katër javë për shkak të një problemi muskulor, ndërsa Akanji dhe Stones janë kthyer në stërvitje.

Si ndiheni pas humbjes në derbi? A ju dhemb ende?
Ishte një ndeshje gati për ta fituar, por e humbëm. Nuk jam i kënaqur me mënyrën se si ndodhi. Mundohem të jem i sinqertë këtu para jush, ashtu si edhe 6 apo 7 ditë më parë. Nëse rrëzohesh 6 herë, duhet të ngrihesh 7 herë. Unë jam një person normal, me ndjenja, si kushdo tjetër. Kur gjërat shkojnë mirë, ndjehem më mirë; kur nuk shkojnë mirë, jemi më të përqendruar në atë që duhet të bëjmë.

Çfarë mendoni se duhet të bëjë ekipi juaj për ta ndryshuar këtë rënie?
Nuk po fitojmë, duhet ta ndryshojmë këtë kurs. Nuk ka rëndësi se çfarë problemesh kemi, duhet të fitojmë dhe nuk po e bëjmë. E di që do të kthehemi të jemi ata të dikurshmit sapo të kemi një rezultat të mirë dhe të gjithë lojtarët në dispozicion. Gjithçka që dua është të kem të gjithë lojtarët, të gjithë skuadrën. Ende mendoj se kemi një skuadër shumë të mirë, problemi është që jo të gjithë janë të gatshëm të luajnë. Nuk është çështje lojtarësh të mirë apo të këqij, por fakti që nuk janë të gatshëm.

A keni ndonjë risi? A është kthyer ndonjë lojtar?
Akanji dhe Stones janë stërvitur dy ditët e fundit. Është e rëndësishme që Stones të rikthehet në formën e tij më të mirë. Kur mungon tri ose katër javë për shkak të një dëmtimi, të duhet kohë për të arritur nivelin tënd maksimal. Sidoqoftë është mirë, është rikuperuar, ka vite që është një lojtar i rëndësishëm për ne. Dias do të mungojë për tri ose katër javë për shkak të një problemi muskulor. Ai ndjeu diçka pas 75 minutave kundër Manchester United. Është i fortë dhe qëndroi në fushë, por tani është i dëmtuar.

Nuk keni kaluar kurrë një periudhë të tillë si trajner. Çfarë përvoje mendoni se ju ndihmon të përballeni me këtë situatë?
Di si t’i menaxhoj momentet e mira dhe ato të këqija. Kam kaluar momente të vështira si trajner, por gjithmonë kemi qenë në gjendje ta ndryshojmë dinamikën. Tani e kemi më të vështirë. Kemi kaluar 40 ditë të këqija sa iu përket rezultateve, kjo është e vërtetë, krahasuar me 8 vite kur kemi qenë shumë më mirë. Kemi pasur 8 vite me rezultate të jashtëzakonshme, ndërsa tani kemi 40 ose 45 ditë me rezultate të dobëta.

A ju ka ndihmuar fakti që nuk kishit ndeshje në mesjavë?
Po, sigurisht. Duhet t’ia fillojmë nga e para. Edhe kur fiton shumë ndeshje radhazi, kurrë nuk e di çfarë do të ndodhë më pas. Do të përpiqemi përsëri dhe, herët a vonë, do ta ndryshojmë këtë dinamikë.

Të shtunën keni një ndeshje të vështirë kundër Aston Villa. A ju surprizon forma e saj e mirë këtë sezon?
Jo, nuk më surprizon. Aston Villa ka një trajner të nivelit më të lartë, të shkëlqyer. Ata kanë pasur sukses duke u kualifikuar në Ligën e Kampionëve dhe rezultatet që po marrin tani në Champions tregojnë gjithçka. Po bëjnë një punë shumë të mirë. Kam qenë në shumë klube ku duhet të menaxhosh dy kompeticione njëkohësisht, edhe ata po ia dalin shumë mirë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit