Ndeshja kundër Spanjës, e cila përfundoi në kohën shtesë me fitoren e iberikëve, ishte e fundit për Toni Kroos si futbollist profesionist. Mesfushori gjerman ishte i pikëlluar që u mbyll këtu, në çerekfinale, Europiani që po zhvillohet në vendin e tij:
“Jam i lumtur që arrita të kontribuoj që futbolli gjerman të përmirësohej sadopak. Gjithsesi, sot jemi jashtëzakonisht të trishtuar. Kishim një qëllim të madh, por tashmë kjo ëndërr mori fund. Ishim kaq afër, ndaj është jashtëzakonisht e hidhur ta pranosh eliminimin”.
Fundi i karrierës për të vjen pas ndeshjes numër 114 me kombëtaren. Toni Kroos ka fituar 34 tituj, është futbollisti gjerman më i suksesshëm në histori. Sa do të kishte dashur ta kurorëzonte karrierën e tij të jashtëzakonshme me titullin e 35-të, i vetmi që i mungonte ende, Kampionatin Europian.
Rikthimin në kombëtaren gjermane e pranoi me dëshirë, gjithnjë e lidhte me planin për “të dalë kampion europian”. Dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, ai vetë i kishte ushqyer shpresat gjermane. Tani për të hapet një kapitull i ri. Kroos dëshiron t’iu përkushtohet intensivisht tre fëmijëve të tij Leon, Amelie dhe Fin, si dhe fëmijëve të të tjerëve në “Toni-Kroos-Academy” në Madrid.