Kroos zbulon prapaskenat e “pensionimit”: T’ia thoja djalit tim dhe Ancelottit ishte gjëja më e vështirë

22 Tetor 2024
14:48
Alfred Lleshi
back button

Toni Kroos tregoi për “Marca” se sa i ndërlikuar ishte komunikimi i vendimit të tij për t’u tërhequr nga futbolli te njerëzit më të afërt. Futbollisti gjerman pranoi se gjëja më e vështirë ishte të fliste me djalin dhe trajnerin e tij, Carlo Ancelotti: “Ishte më e vështirë t’i tregoja djalit tim të madh, sepse e dija se sa shumë i pëlqente të më shikonte në TV dhe në stadium. Kam përjetuar shumë momente, kam luajtur në 4 finale të Ligës së Kampionëve, por nuk mbaj mend rast më të vështirë se t’i tregoja djalit ‘pensionimin’. Nuk ishte e lehtë t’ia thoja, por gjithçka në jetë e ka një fund”.

Edhe zgjedhja e momentit për t’i thënë “lamtumirë” Ancelottit nuk ishte e lehtë: “E dija që trajneri nuk do të zemërohej, por se do të ishte pak i trishtuar. Edhe për mua nuk ishte një moment i lehtë, madje ishte shumë i veçantë. U përpoqa të zgjidhja një moment të mirë për të komunikuar me Ancelottin. Patëm fatin ta fitonim La Liga-n me diferencë të mirë pikësh dhe mendova se ishte momenti perfekt mes fitimit të kampionatit dhe finales së Ligës së Kampionëve”.

Gjermani foli kokë më kokë me shokët e skuadrës për “lamtumirën” nga futbolli. “Bisedova me ta një nga një, sepse disa i njihja prej pak kohësh, të tjerëtmë gjatë. Kisha një marrëdhënie shumë të ngushtë me të gjithë, doja t’i informoja personalisht. Nuk doja të përhapej lajmi dhe kështu ndodhi, për çudi”.

Real Madrid u përpoq ta bënte të ndryshonte mendje, por pa iu imponuar vullnetit të tij: “Gjëja e bukur është se pas 10 vitesh të gjithë më njihnin shumë mirë në klub. Drejtuesit e dinin se po e merrja një vendim të mirëmenduar, nuk kishte kthim prapa. Ata u përpoqën për të më bindur, por e dinin që nuk do të mundeshin. U shpjegova se e kisha marrë vendimin disa muaj më parë dhe se nuk do ta ndryshoja. Natyrisht, nuk ishte aspak e lehtë të tërhiqesha nga futbolli”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit