Kryqëzohen rrugët e Allegrit dhe Zidane, “Tuttosport” zbulon skenarin e bujshëm

4 Maj 2021
11:05
Alfred Lleshi
back button

Massimiliano Allegri ka një siguri: ai do të kthehet në stol sezonin e ardhshëm. Ua ka thënë këtë miqve të tij, pa saktësuar stolin që do të zërë. Në javët e fundit, emri i tij ka qenë i lidhur me rikthimin te Juventusi. Një destinacion që nuk do të habiste njeri, duke marrë parasysh marrëdhëniet e shkëlqyera midis Max dhe Andrea Agnelli, edhe nëse klubi bardhezi e mohon hipotezën. Ndërkohë, thashethemet e kontakteve midis Allegri dhe Real Madridit janë shtuar.

Një pistë e bujshme dhe, në vetvete, jo e ri, duke pasur parasysh që në verën e vitit 2018, trajneri livornez i tha “jo” Florentino Perez. Presidenti i Real Madridit ka qenë gjithmonë një admirues i ish-trajnerit të Juventusit dhe e sheh atë mjaft të mirë për menaxhimin e tranzicionit midis ciklit që po mbaron dhe ciklit të ri që dëshiron të hapë në “Santiago Bernabeu”.

Po Zinedine Zidane? Marrëdhëniet midis trajnerit francez dhe Perez nuk janë “shend e verë”, nuk ka siguri për të ardhmen. “Zidane është i lumtur, është një trajner i nivelit të lartë. Kontrata është aty, ne do të shohim se çfarë do të ndodhë në fund të sezonit”, – tha vetë Florentino para disa ditësh. Vetë francezi ka përsëritur në ditët e fundit: “Deri më tani nuk di asgjë. Unë nuk shqetësohem për të ardhmen, as tani dhe as kur u tha që Zidane duhet të shkarkohej. Asgjë nuk ndryshon, këtu përqendrohemi tek e tashmja, ditë pas dite.

Nesër do të luajmë një ndeshje të rëndësishme dhe kjo është ajo që më intereson. Asgjë tjetër. Në futboll mund të kesh një kontratë 4 apo 5-vjeçare dhe më pas largoheni nesër. Kontratat nuk nënkuptojnë asgjë. Jam i lumtur këtu, por duhet të mendojmë për ndeshjen e nesërme dhe asgjë tjetër. Unë jam i lumtur që presidenti do të vazhdojë punën e tij në krye të Real Madridit, por duhet të përqendrohemi vetëm në ndeshjen e radhës”.

Me pak fjalë, në Madrid situata është e rrjedhshme dhe hipoteza e Allegrit nuk mund të përjashtohet, gjithashtu sepse ai është një nga trajnerët më të mirë të lirë dhe ndoshta i gatshëm të nënshkruajë shpejt. Nëse Allegri sistemohet në stolin e bardhë, me siguri Zidane nuk do të mbetej thatë. Tundimi i Juventusit për të është i njohur. Rikthimi në Torino, tashmë si trajner, nuk do të refuzohej as nga ish-mesfushori i njohur bardhezi…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit