“Një rikthim i Gianluigi Donnarumma në Serie A? Tani është praktikisht e pamundur, por kurrë mos thuaj kurrë. Unë përdor frazën që përdorin të gjithë agjentët”. Enzo Raiola e mbyll, jo tërësisht, një të ardhme italiane për portierin e kombëtares axurre, i cili është gati të rinovojë me PSG:
“Kemi ende dy vite në kontratën aktuale, pra nuk e kemi me nxitim. Gjithsesi, tashmë ka nisur dialogu mes palëve, vetë drejtori sportiv Campos e ka pranuar se dëshiron ta rikonfirmojë Gigio. Edhe ne duam të qëndrojmë në një nga klubet më të rëndësishme në botë. Gigio mund të bëhet flamuri i PSG-së”.
Kushëriri i të ndjerit Mino Raiola, duke folur për “Tuttosport”, përmblodhi gjithashtu situatën e Bennacer, i cili kishte qenë afër shitjes në Arabinë Saudite: “Kishte interesime të disa klubeve, por ai kurrë nuk e vuri në dyshim dëshirën për të qëndruar te Milani. Vetë drejtuesit kuqezinj donin gjithashtu që të qëndronte. Është e vështirë të zgjedhësh një ekip tjetër në Europë, nuk është e lehtë të largohesh nga Milani, klubi është shumë i rëndësishëm”.
Më pas kalojmë te Balotelli, ende pa ekip: “Ai ka pasur shumë kërkesa jashtë Europës, por do të donte të qëndronte në Itali. Palermo? Nuk do të flisnim për Serie B… Nuk është çështje serie, por na duhet projekti i duhur për Marion. Nëse asgjë nuk zgjidhet, do të rifillojmë disa diskutime të mëhershme”.