Italianët ende e mbajnë mend mirë Nico Williams. Një muaj e gjysmë më parë ishte ai që çmendi mbrojtjen e Luciano Spallettit dhe në veçanti Giovanni Di Lorenzo, protagonist kundër dëshirës së tij i një nate për t’u harruar shpejt.
Prandaj është normale që emri i më të voglit nga vëllezërit Williams ka filluar të qarkullojë me frekuencë edhe më të madhe në qarqet e merkatos. Një status ylli i konfirmuar nga goli që shënoi në finalen e fituar nga Spanja ndaj Anglisë dhe në përgjithësi nga një Kampionat Europian i shkëlqyer i kësaj vere.
Barcelona ka ecur konkretisht në gjurmët e tij, me të është lidhur edhe PSG. Gjithsesi, postimi i publikuar në profilet sociale nga Athletic duket se nuk lë më asnjë dyshim. Nico Williams u paraqit rregullisht në seancat stërvitore të baskëve, siç ishte planifikuar pas aventurës së tij në Kampionatin Europian.
Me një buzëqeshje në fytyrë, ai ka qetësuar fansat në një video të shkurtër, të postuar nga Athletic: “Jam kthyer me një dëshirë të madhe për ta nisur këtë sezon. Forca Athletic!”
Një deklaratë e cila, siç u përmend, duket se fshin çdo lloj thashethemesh për të ardhmen e Williams larg Bilbaos. Kjo e distancon edhe më tej Barcelonën, klubin që më shumë se çdo tjetër është munduar të sigurojë shërbimet e anësorit të kombëtares spanjolle. Interesi i PSG-së, megjithatë, është më pak konkret.
👋🏿 Ongi etorri etxera, @willliamsssnico‼️
Nico Williams ya está en Lezama ❤️#AthleticClub 🦁 pic.twitter.com/jkljokSq86
— Athletic Club (@AthleticClub) August 6, 2024
Ajo që e trembi Athletic mbi të gjitha ishte klauzola e lirimit të përfshirë në kontratën e Nico Williams: rreth 58 milionë euro. Një shumë që, në një moment të caktuar, Barcelona ishte e gatshme ta paguante për të siguruar suksesin e transfertës.
Në fund, megjithatë, katalanasit bënë një hap prapa, pavarësisht besimit fillestar. Dhe tani duken më të prirur për ta kthyer vëmendjen te Dani Olmo. Arsyeja? Williams, i këshilluar gjithashtu nga vëllai i tij i madh, Iñaki, ka vendosur t’i thotë “jo” për momentin Barcelonës, për të qëndruar në Bilbao.
Një zgjedhje e cila, pavarësisht një tregu i paqëndrueshëm e plot surpriza, tashmë duket se konfirmohet nga postimi i Athletic në rrjetet sociale. Marrëdhënia mes Nico Williams dhe Athletic, si në rastin e vëllait të tij, është shumë e fortë. Dhe shumë jetëgjatë, po të kihet parasysh se anësori spanjoll është rritur atje, në Bilbao, në ekipin e të rinjve të bardhekuqve, pavarësisht se ka lindur në Pamplona dhe ka hedhur hapat e parë tek Osasuna.
Sezonin e kaluar, vëllai më i vogël Williams shënoi 8 gola në 37 paraqitje për Athletic. Shpërthimi i vërtetë i tij, që e vendosi në qendër të vëmendjes së merkatos, ndodhi në Gjermani. Në fund, megjithatë, sipas të gjitha gjasave, gjithçka do të përfundojë në asgjë.