Trajneri i kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka shpallur sot listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet vendimtare të muajit shtator, në kuadër të Grupit B kualifikues për Kupën e Botës 2026. Dardanët fillimisht do të udhëtojnë drejt Zvicrës më 5 shtator, ndërsa tri ditë më pas do të presin në Prishtinë kombëtaren e Suedisë.
Në listën e publikuar, trajneri gjerman ka përfshirë 26 futbollistë, duke u mbështetur në përvojën e ‘senatorëve’ si Vedat Muriqi, Edon Zhegrova, Amir Rrahmani, Valon Berisha dhe Mërgim Vojvoda.
Përveç tyre, ka edhe emra të rinj e premtues, mes të cilëve Leon Avdullahu, Veldin Hodza, Dion Gallapeni, Florian Haxha dhe Baton Zabërxha, të cilët pritet të sjellin freski dhe energji në kombëtaren kosovare.

Në listën rezervë, Foda ka edhe futbollistë të tjerë të talentuar, përfshirë Faton Maloku, Leard Sadriu, Ron Raqi, Andi Hoti, Donat Rrudhani, Kreshnik Hajrizi, Ismet Lushaku, Behar Neziri, Kreshnik Krasniqi, Lirjon Abdullahu, Bledian Krasniqi dhe Rilind Nivokazi. Ata do të jenë të gatshëm në rast nevoje.
Kosova iu beson lojtarëve të kompletuar dhe sprovuar, shkon me ambicie të qarta në dy kualifikueset vendimtare të shtatorit, duke synuar përparim në rrugën drejt Botërorit 2026.







