Kukësi kërkon rikthimin në Kategorinë e Parë, verlindorët zbulojnë shkeljen e bërë nga Bylis B

10 Maj 2026
20:21
Telesport
back button

Ditën e djeshme, Kukësi dhe bylis B u ndeshën me tyre në play-out për të vendosur se kush do të luajë sezonin e ri në Kategorinë e Parë. Koha e rregullt u mbyll në shifrat 1-1, nga pika e bardhë e penalltisë u treguan më të saktë lojtarët e Bylis, duke fituar të drejtën për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë.

Te Kukësi nuk janë dakord me këtë humbje dhe përmes një reagimi pubik në faqen zyrtare të klubit, verlindorët pretendojnë për shkelje të rregullores nga ana e ballshiotëve, të cilët kanë aktivizuar në këtë takim 9 lojtarë nga ekipi i parë, kur lejohen vetëm 5 në fakt.

“REAGIM ZYRTAR
Pas ndeshjes “Play Out” ndaj Bylis B, FK Kukësi i është drejtuar zyrtarisht Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Komisionit të Disiplinës për shqyrtimin e shkeljes së Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike.

Në bazë të listave të federimit, protokollit zyrtar të ndeshjes dhe sistemit COMET, rezulton se Bylis B ka aktivizuar 9 lojtarë të regjistruar tek ekipi A: Ahmed Ibrahim Adepoju, Ibrahim Ademola Akibu, Renato Beqaj, Dime Dimov, Guilherme Ferreira Buranelli, Ergi Hodo, Robert Muric, Paulo Pjeshka dhe Gjorgji Stoilov.

Sipas nenit 52.16, lejohet aktivizimi i vetëm 5 lojtarëve nga ekipi A, ku 3 prej tyre duhet të kenë më pak se 10 ndeshje me ekipin e parë gjatë sezonit. Këto kushte nuk janë respektuar, duke përbërë shkelje të rregullores.

FK Kukësi ka respektuar të gjitha pikat e rregullores, përfshirë edhe afatin e ankimimit brenda 24 orëve, sipas procedurave zyrtare, duke bashkangjitur dokumente që verifikojnë shkeljen, pamje filmike dhe protokollin zyrtar.

Kjo nuk është hera e parë që ndodhin raste të ngjashme me Bylis B, ku janë marrë vendime për humbje në tavolinë për shkelje të rregullores.
Për këtë arsye, klubi ynë kërkon zyrtarisht fitoren në tavolinë, në përputhje me rregulloren dhe precedentët ekzistues.

FK Kukësi ka besim të plotë se organet kompetente të FSHF-së dhe Komisioni i Disiplinës do të japin një vendim të drejtë, të bazuar në fakte dhe në mbrojtje të integritetit të garës.

Faleminderit tifozëve për mbështetjen e vazhdueshme.”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit verilindor.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit