Kumbulla “e futi në xhep” Lukakun, Verona refuzon 20+5 milionët e Lazio

10 Korrik 2020
9:30
Alfred Lleshi
back button

Menaxhmenti i Interit ishte në gjendje ta shihte Marash Kumbullën nga afër mbrëmë. I konstatoi aftësitë e tij mbrojtëse në veprim, në një sprovë për “master”, duke markuar hap pas hapi Romelu Lukakun. Ky i fundit, i gjendur në “darën” e 20-vjeçarit shqiptar, nuk bëri dot asgjë për 70 minuta, sa ishte në fushë. Mediat italiane i kanë bërë jehonë duelit të mbrojtësit të Hellas Verona, i datëlindjes 2000, me bomberin ziklatër.

Një luftë e vërtetë, në të cilën Kumbulla nuk ka lëshuar terren aspak, duke treguar se çfarë potenciali posedon. Siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, Verona i tha “jo” ofertës së Lazio prej 20 milionë eurosh, plus mesfushorin Andre Anderson (i vlerësuar 5 milionë). Klubi verdheblu nuk është i gatshëm të bëjë asnjë zbritje për shqiptarin, çmimi i të cilit për momentin nuk zbret nën 25 milionë euro.

Interi dhe Juventusi “vigjëlojnë” në garën për Kumbullën, i cili i ka mbajtur të gjitha dyert e hapura deri më tani. Sidoqoftë, asnjë klub nuk e ushqen “ankandin” venecian, duke parë vështirësitë financiare të merkatos së radhës, e goditur rëndë nga Covid-19.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit