Sonte, prej orës 20:45, në “Arena Kombëtare” do të luhet ndeshja mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë. Sfidë kjo e vlefshme për xhiron e dytë të Ligës së Kombeve, Liga B, grupi B1. Dy kombëtaret në fjalë e nisën edicionin e ri të këtij kompeticioni me fitore.
Kështu, kuqezinjtë e Sylvinhio fituan me përmbysje ndaj Ukrainës në Pragë, me rezultatin 2-1, ndërsa gjeorgjianët mposhtën në fushën e tyre 4-1 Republikën Çeke. Pra, kush fiton sonte, mban kreun e grupit. Ky ballafaqim do të gjykohet nga belgu Erik Lambrechts.
Duhet nënvizuar fakti se Gjeorgjia është njëlloj “maceje e zezë” për kuqezinjtë tanë. Këtë e dëshmojnë shifrat e përplasjeve direkte në histori. Më konkretisht, Shqipëria ka 3 fitore, 4 barazime dhe 8 humbje. Sfida e mbrëmjes së sotme është e 16-ta mes këtyre dy kombëtareve në histori, me golaverazhin 13-23.
Pra, në statistika jemi “inferiorë” ndaj këtij kundërshtari, por kjo nuk do të thotë shumëçka. Fusha e blertë do të dëshmojë qartë se nga “anon peshorja” në këtë moment. Fundja, edhe ndaj Ukrainës nuk kishim asnjë shans në letër, nëse iu referoheshim statistikave të së shkuarës.
Nuk kishim fituar kurrë ndaj ukrainasve, por e bëmë këtë para tri ditësh në Pragë, madje me përmbysje. Sylvinho ka bërë thirrje për përqendrim maksimal ndaj Gjeorgjisë, duke e vlerësuar si kundërshtar mjaft të fortë.
Nuk priten ndryshime në formacionin startues, krahasuar me atë ndaj Ukrainës. Dilema e vetme është nëse do të luajë nga fillimi Hysaj apo Balliu. Pjesa tjetër nuk lëviz, sepse fundja, formacioni fitues nuk ndryshohet. Stadiumi “Arena Kombëtare” pritet të jetë i mbushur plot e përplot, të gjitha biletat janë shitur, ndaj të gjithë presin spektaklin e kuqezinjve.
GRUPI I SHQIPËRISË
Shqipëria
Gjeorgjia
Republika Çeke
Ukraina
KALENDARI I SHQIPËRISË
6 shtator: Ukrainë-Shqipëri 1-2
10 shtator: Shqipëri-Gjeorgji
11 tetor: Republika Çeke-Shqipëri
14 tetor: Gjeorgji-Shqipëri
16 nëntor: Shqipëri-Republika Çeke
19 nëntor: Shqipëri-Ukrainë