Matthijs de Ligt ka qenë një nga transferimet më të përfolura të kësaj vere. Pas muajsh spekulimesh, qendërmbrojtësi holandez më në fund u largua nga Bayern Munich për t’iu bashkuar Manchester United të bashkatdhetarit të tij Erik Ten Hag për 45 milionë euro, plus 5 milionë bonuse dhe kontratë të nënshkruar deri në qershor 2029. Po pse u largua ish-lojtari i Ajax dhe Juventusit nga gjigantët e Bavarisë? Kush donte që ai të largohej?
Portali online “The Athletic” pretendon se ka mësuar të vërtetën nga një burim i afërt me lojtarin. Sipas këtij versioni, trajneri i Bayernit, Vincent Kompany, ishte shprehur qartë në favor të De Ligt, teksa kishte zhvilluar një bisedë ballë për ballë me të. Sipas këtij burimi, Kompany i tha De Ligt se ishte “mbrojtësi numër një” i tij dhe se nuk ndihej përgjegjës për largimin që po i imponohej. Prandaj, në këtë kuptim ishte e qartë se ky vendim ishte marrë në nivel bordi.
Megjithatë, i pyetur nga “The Athletic”, një zëdhënës i klubit gjerman ka mohuar informacionin, duke ngulmuar se “Kompany nuk ia kishte thënë kurrë këto fjalë”. Duhet mbajtur mend se kishte shumë firma nga tifozët që nuk donin ta shihnin De Ligt të largohej nga Bayerni. Për më tepër, në një sondazh të nisur nga “Bild”, 74 për qind e pjesëmarrësve u shprehën kundër shitjes.