Ishte viti 2013 kur Cristiano Ronaldo, në kulmin e karrierës së tij te Real Madridi, hapi një akademi futbolli në Gjeorgji. Një gëzim për të gjithë fëmijët gjeorgjianë të kohës, që arritën të takonin edhe personalisht fenomenin portugez.
Mes tyre ishte edhe Khvicha Kvaratskhelia, sulmuesi i Napolit dhe i kombëtares së Gjeorgjisë, i cili 11 vite më vonë u përball me CR7 si kundërshtar në Kampionatin Europian 2024. Gjithashtu Kvara shënoi një gol që në minutën e dytë të ndeshjes, duke kontribuar qartësisht në kualifikimin historik të Gjeorgjisë në 1/8 finale të “Euro 2024”.
“Shpresoj se do të fitojmë dhe se Cristiano Ronaldo do të më japë fanellën e tij, – tha Kvara në prag të ndeshjes. – Nuk jam në ankth, sepse ka qenë gjithmonë një ëndërr e imja të luaja kundër tij”.
Sulmuesi i Gjeorgjisë jo vetëm shkëlqeu në ndeshje, duke marrë drejtimin e skuadrës, por më pas bëri realitet pikërisht atë ëndërr, duke shkëmbyer në fakt fanellat me Cristiano Ronaldon. Në një video në Instagram, Kvara shihet në dhomat e zhveshjes duke festuar kualifikimin e Gjeorgjisë me numrin e çmuar 7 të Portugalisë.
Një histori e pabesueshme, 11 vite pas asaj të xhiruar mes fëmijëve në Gjeorgji, që ëndërronin që një ditë të imitonin bëmat e kampionit portugez. Kvaratskhelia më vonë u shpall “lojtari i ndeshjes” nga UEFA, teksa Gjeorgjia e mposhti 2-0 Portugalinë.
Ai përmbushi ëndrrën e fëmijërisë, jo vetëm duke sfiduar idhullin e tij, Cristiano Ronaldon, por edhe duke e mundur 2-0. Gjeorgjiani kishte pasur gjithmonë synimin që një ditë ta ndante fushën me të. Mbrëmë e realizoi atë ëndërr, madje e mundi “heroin” e tij.
Një ditë që vështirë se do ta harrojë, një histori që vetëm sporti mund ta tregojë shpesh. “Ëndrrat”, shkruan Kvara në Instagram, duke treguar një foto në të cilën vë në pah çmimin “Lojtari i ndeshjes”, vendosur pikërisht përkrah fanellës së Cristiano Ronaldos me Portugalinë.
Një emocion i papërshkrueshëm për gjeorgjianin, dukshëm adhurues i 39-vjeçarit nga Madeira qysh me hyrjen në fushë, kur u takua me CR7 gjatë përshëndetjes klasike të dy skuadrave në mes të fushës, para fillimit të lojës. Me pak fjalë, mbrëmja perfekte për Kvara.