Lajm shkatërrues për Marc Bernal. Mesfushori i ri i Barçës, sensacioni më i madh i fillimit të sezonit për skuadrën e Hansi Flick, raportohet se ka këputur ligamentet e kryqëzuara në gjurin e majtë, siç ka mundur të konfirmojë “SPORT” nga burime pranë dhomave të zhveshjes.
Lojtari i ri nuk ka mundur t’i përfundojë minutat e fundit të takimit pas një përplasjeje me Isi Palazón. Lojtari blaugrana u trajtua nga mjekët e klubit, por nuk u kthye në fushë, teksa Hansi Flick i kishte bërë tashmë tri zëvendësime.
Barça e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë dhe në fund lojtari i ri u desh të largohej nga Vallecas me ndihmën e mjekëve të Barçës, që e shoqëruan deri në dhomat e zhveshjes për shkak të pamundësisë së të riut për të mbështetur këmbën.
Para se të largohej nga fusha, Hansi Flick shkoi drejtpërdrejt në anën tjetër të fushës te Bernal, të cilin u përpoq ta ngushëllonte pas një ndeshjeje të madhe në Vallecas.
Shqetësimi ishte evident, aq më tepër pasi konfirmoi se lëndimi ishte në gju. Vetë trajneri gjerman tha pas ndeshjes: “Është një fitore e trishtueshme, pasi na u dëmtua rëndë Marc Bernal. Nesër në Barcelonë do të bëjmë më shumë teste për të ditur më mirë se çfarë ka”.