Këtë të hënë, më 4 nëntor, Lamine Yamal mbush 6324 ditë, të njëjtin numër që kishte Leo Messi kur debutoi në një ndeshje zyrtare si lojtar i ekipit të parë të Barçës. Ylli argjentinas debutoi si lojtar i Barçës më 16 tetor 2004 kundër Espanyol në “Montjuïc”, pikërisht ndaj të njëjtit rival dhe në stadiumin ku luajti dje Lamine, i cili thirret të shkruajë legjendën e tij te Barça.
Numrat e Lamine Yamal me fanellën blaugrana, në ekipin e parë, na ftojnë të ëndërrojmë për një karrierë të shkëlqyer. Ai debutoi më 29 prill 2023 në ndeshjen Barça-Betis, në moshën vetëm 15 vjeç, 9 muaj dhe 16 ditë. Kësisoji, talenti katalanas u bërë lojtari më i ri në shekullin e 21-të që luajti në një ndeshje të ekipit të parë “culé”.
Që atëherë Yamal ka shtuar rekorde të tjera, përmes performancash mbresëlënëse. Ai është gjithashtu futbollisti më i ri që ka shënuar për Barçën (16 vjeç e 87 ditë), golashënuesi më i ri në La Liga (16 vjeç e 87 ditë), në “Kupën e Mbretit” (16 vjeç e 195 ditë) dhe Superkupën e Spanjës (16 vjeç e 182 ditë), si dhe i dyti në Champions League, i tejkaluar nga shoku i tij i skuadrës Ansu Fati. Në “El Clasico” e fundit, Lamine arriti edhe një tjetër moment historik, duke u bërë golashënuesi më i ri (17 vjeç e 105 ditë) në duelet kundër Real Madridit.
Deri më sot, pavarësisht se shumë i ri, Yamal ka bërë 83 paraqitje me ekipin e parë të Barçës dhe ka shënuar 13 gola, duke dhënë edhe 16 asiste në të gjitha garat. Vetëm një javë më parë mori trofeun “Kopa” si lojtari i ri më i mirë në botë, ndërsa tashmë është në garë për të fituar “Topin e Artë” më shpejt se sa vonë.
Krahas kontributit të madh për Barçën, Lamine Yamal po bën histori edhe me kombëtaren spanjolle, ku është një nga referencat e mëdha. Me “La Roja” ka shënuar 3 gola dhe dhënë 8 asiste . Spikati në Europianin e fundit, me përmendje të veçantë golin e madh që shënoi në gjysmëfinale kundër Francës. Edhe ky kompeticion e vendosi atë në krye të skenës botërore. Në vitin 2026 synon të jetë një nga yjet e mëdhenj të Botërorit të ardhshëm. Të gjitha, me vetëm 6324 ditë jetë.
Shifrat e Lamine Yamal në moshën e debutimit të Leo Messit
Me Barcelonën: 66 ndeshje, 13 gola, 16 asiste
Në La Liga: 50 ndeshje, 10 gola, 11 asiste
Në Champions League: 2 gola, 5 asiste
Në “Kupën e Mbretit”: 1 ndeshje, 1 gol
Në Superkupën e Spanjës: 2 ndeshje, 1 gol
Me kombëtaren spanjolle: 17 ndeshje, 3 gola, 8 asiste
Në “Euro 2024”: 7 ndeshje, 1 gol, 4 asiste
Në kualifikueset e Europianit: 4 ndeshje, 2 gola
Në Ligën e Kombeve: 3 ndeshje, 1 asist
Në miqësore: 3 ndeshje, 3 asiste
TOTALI: 83 ndeshje, 16 gola dhe 24 asiste