Laporta flet pas rizgjedhjes si president: Shkojmë në Paris për përmbysjen

8 Mars 2021
9:30
Alfred Lleshi
back button

I lumtur, rrezatues dhe i kënaqur, shumë i kënaqur. Kjo është mënyra se si Joan Laporta, presidenti i ri i Barcelonës, ​​u prezantua para mediave, pasi mbaroi numërimi zgjedhor. Laporta përballet me një fazë të dytë në krye të klubit katalanas, pasi e komandoi atë midis viteve 2003 dhe 2010, me forcën që i dhanë 54.28% të votave të hedhura.

Para përfundimit të numërimit, rreth orës 22:35, të tre kandidatët u takuan në një nga mjediset e “Camp Nou” dhe treguan përzemërsinë midis tyre. Víctor Font priti Joan Laporta, teksa u përqafuan. Më pas edhe Toni Freixa u bashkua me ta. Një imazh uniteti që lehtësoi tifozët e Barçës për të ardhmen. Të dy, Font dhe Freixa e uruan Laporta, përgëzuan ekipin fitues, një gjest i dukshëm i një loje të paparë “fair play”.

Më vonë, nën drejtimin e Laporta, të gjithë bashkëpunëtorët e tij kënduan himnin e Barcelonës. Euforia kishte pushtuar ekipin e tij, sepse presidenti i ri kishte marrë tashmë 80.13% të votave. Menjëherë më pas nisi dollia me shampanjë. Laporta bëri që pija e gazuar të fluturonte nëpër ajër në festën tipike të fitores.

Laporta i kërkoi ekipit të tij “një duartrokitje të fortë për Kryetarin e Komisionit të Menaxhimit”, i cili u afrua për ta uruar. Presidenti i ri nënvizoi: “Zgjedhjet janë organizuar në një mënyrë shembullore”. Më vonë u përqafua me Carles Tusquets, pavarësisht se kishte disa mosmarrëveshje gjatë fushatës zgjedhore.

Në një moment, gjatë kësaj feste, Joan Laporta u çlirua nga tensioni i akumuluar në debate dhe prezantime për ta lëshuar veten me një ton euforik: “Le të shkojmë në Paris për të parë nëse mund ta përmbysim disavantazhin”.

Fjalët e para të Laporta, në “Auditori 1899”, tashmë në të gdhirë të së hënës, me të gjithë ekipin e tij në skenë, ishin për të falënderuar anëtarët për pjesëmarrjen e tyre në votime: “Këto zgjedhje ishin më të rëndësishmet në histori, sepse janë zhvilluar në kushte shumë të veçanta. Le të mburremi me këtë festë të demokracisë dhe Barcelonës. Dua një duartrokitje për Johan Cruyff, sepse ai na frymëzon në të gjitha vendimet që marrim. Falënderoj lojtarët që përfaqësojnë emblemën tonë, sepse shumë prej tyre morën pjesë në këto zgjedhje. Ato i meritojnë të gjitha”.

Ai kujtoi se “sot kishin kaluar 20 vite, që kur një djalë me emrin Leo Messi bëri debutimin e tij në ekipin B të Barçës, ndërsa tani është lojtari më i mirë në botë, teksa erdhi për të votuar me djalin e tij. Përderisa ka votuar, kjo do të thotë se e do Barçën. Ai është një familje e shkëlqyeshme. Unë e inkurajoj që të vazhdoj te Barça, sepse kjo është ajo që të gjithë duam. Një duartrokitje për Leo Messi. Ne jemi një familje e shkëlqyer dhe, me siguri, kjo ndjenjë që na bashkon do të na bëjë të ecim përpara të gjithë së bashku.

Ne do të kemi përgjegjësi maksimale, optimizëm, pozitivitet, përulësi, bujari, guxim; do të ikim nga katastrofizmi për të përmbushur sfidat që i kemi vënë vetes. Familja e madhe e Barcelonës do t’i kapërcejë vështirësitë, ne do t’i arrijmë objektivat. Le të mos vuajë askush, partnerët dhe anëtarët e Barçës do të vazhdojnë të jenë pronarë të këtij klubi.

Të gjithë së bashku do të thotë gjithashtu edhe për rivalët, Víctor Font dhe Toni Freixa. Një duartrokitje për ta. Unë kërkoj nga të gjithë tifozët e Barçës që të mos mendojnë për atë që klubi duhet të bëjë për ta, por çfarë mund të bëjnë ata për Barçën. Dhe ajo që mund të bëjnë është ta duan atë, ta duan më shumë se kurrë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit