Presidenti i Barcelona, Joan Laporta, ka zbuluar dëshirën e klubit për të mbajtur të huazuarit Joao Felix e Joao Cancelo edhe sezonin e ardhshëm. Të dy lojtarët kanë ardhur respektivisht nga Atletico Madrid dhe Manchester City.
Felix shënoi 10 gola në 44 ndeshje në të gjitha, ndërsa Cancelo luajti 42 herë. Të dy futbollistët u vlerësuan për paraqitjen e tyre, në sezonin e parë me fanellën “blaugrana”. Ndaj dhe Laporta po punon për rinovimin e huazimit.
“Ne duam që ata të dy të vazhdojnë të luajnë me ne. Deco po punon për të siguruar që ata të vazhdojnë një sezon tjetër në kushtet aktuale”, tha Laporta në podcast-in e tij të Barca One.
“Flick më ka thënë se ata janë lojtarë me cilësi të lartë. Madje, kur ai drejtoi Bayern, ai asokohe u përpoq të merrte Joao Felix te bavarezët. Unë mendoj se Felix mund të kishte performuar më mirë sepse ai ka cilësi të jashtëzakonshme”, tha Laporta.