Xavi, për momentin, mbetet trajner i Barçës deri në njoftimin e dytë. Ai ka kontratë deri më 30 qershor 2025, kështu që nëse klubi nuk thotë ndryshe, ai do të vazhdojë të komandojë ekipin e parë Blaugrana.
Kjo është e vetmja gjë që dihet në nivel zyrtar, por duke qenë se gjithçka rrjedh në këtë klub për mediat, dihet edhe se Joan Laporta është shumë i inatosur me Xavin, për shkak të deklaratave që bëri trajneri para ndeshjes ndaj Almeira (klubi është në vështirësi ekonomike dhe nuk mund të rivalizojë në merkato me klubet e tjera të mëdha).
Në fakt, siç shpjegon gazetari Sique Rodríguez në programin “El Larguero”, presidenti nuk u nda shumë i lumtur nga takimi i shkurtër që pati me trajnerin pas fitores në Montjuïc ndaj Rayo Vallecano. Mesa duket, Laporta ka dëgjuar disa fjalë nga Xavi, në të cilat trajneri ka vënë në pah faktin e konfirmimit të vendit të dytë, diçka që ka lejuar që projekti të vazhdojë të ndërtohet.
Këto deklarata nuk do t’i vinin shumë mirë presidentit të Barçës, i cili duket se ia ka thënë trajnerit, direkt pas ndeshjes me Rayo Vallecano: “Të shohim nëse do ta festojmë renditjen në vendin e dytë”.
Ujërat janë të trazuara në klub dhe e ardhmja e Xavi është më shumë jashtë sesa brenda. Tani për tani, entiteti po blen kohë, duke u siguruar që këtë javë të mos e largojë fokusin nga finalja e Ligës së Kampionëve për femra. Kur të përfundojë kampionati me ndeshjen në Seville, do të jetë koha për të marrë vendime.