Laporta: Refuzova 250 milionë euro për Yamal, pasuria jonë e madhe është është ‘La Masia’

18 Tetor 2024
11:41
Alfred Lleshi
back button

Joan Laporta ka dhënë një intervistë të gjatë për “Barça One”, pak ditë para festimeve të 125 vjetorit të klubit dhe “El Clasico” kundër Real Madridit: “Barcelona është gjallë, këtë javë kemi prezantuar posterin e 125 vjetorit. Ne jemi në një moment të mirë, sot klubi po fiton para. Kur morën drejtimin e klubit duhej të përdornim levat për t’u marrë me angazhimet urgjente dhe për të përmirësuar fuqinë punëtore.

Xhirimi i parave është 41% më shumë se sa shpenzohen. Kjo është shumë e rëndësishme, por tani kemi nevojë për stabilitet institucional. Krijuesit e vërtetë të këtij momenti lumturie për tifozët e Barcelonës janë anëtarët, që kanë siguruar stabilitet institucional. Tani duhet të votojmë buxhetin dhe të mbetemi të bashkuar”.

Trashëgimia e Bartomeu: “Nuk më pëlqen të shikohem në pasqyrën e pasme. Kur mbërritëm, situata ishte shumë e keqe. E vërteta është se po dështonim, por u përmirësuam. Rritëm të ardhurat, ulëm shpenzimet, ulëm faturën e pagave me rreth 170 milionë euro.

Ajo që kemi ne, por askush tjetër nuk e ka, është ‘La Masia’, e cila prodhon talente të mëdha. Ato vijnë për të luajtur në ekipin e parë, janë qendra e projektit tonë. Si presidencë po i kushtojmë vëmendje tregut, por së pari shikojmë akademinë tonë”.

Presidenti blaugrana zbuloi edhe prapaskena nga merkatoja: “Si klub morëm një ofertë prej 250 milionë euro për Lamine, por unë refuzova. Sipas ‘Forbes’, klubi vlen më shumë se një vit më parë. Nuk po shesim nga nevoja, varet nga merkatoja. Gündogan është larguar, por ka ardhur Olmo. Ka lojtarë që po performojnë më mirë, si Raphinha dhe Lewandowski”.

Mbi kritikat ndaj presidencës së tij: “Unë i respektoj mendimet e të gjithëve, por shumica e tifozëve të Barcelonës janë të lumtur. Këto deklarata apokaliptike janë të gabuara. Shumë tifozë të Barcelonës mendojnë se po përpiqen të prishin momentin e bukur që po kalojmë, dikush krijon një realitet të rremë. E vërteta është se Barça është edhe një herë qendra e jetës sonë. Ne jemi klubi më i mirë në Europë, duhet të jemi të bashkuar. Do të ketë zgjedhje më 2026, do të ketë kohë edhe për kritikat e kujtdo”.

Mbi “fair-play financiar” dhe marrëdhënien me Tebas: “Jemi duke u përmirësuar, kontrata me ‘Nike’ do të na ndihmojë. Nuk u nënshkrua më parë, sepse donim kontratën më të mirë të mundshme. Para dhjetorit duhet të tregojmë se kemi rezultate pozitive. La Liga tashmë i ka njohur përpjekjet tona për të reduktuar faturën e pagave. Barça bashkëpunon me këdo për ato gjëra që i sheh logjike”.

Hansi Flick dhe momenti aktual: “Ai ka revolucionarizuar pankinën e Barçës, është një njeri i klubit, i integruar në qytet. Është i sjellshëm, i afërt me njerëzit, kërkues, i disiplinuar, udhëheq me shembull. Flick është profesionist, ne jemi shumë të kënaqur me punën që po bën. Në fakt isha i sigurt se do të bënte mirë, por u befasova nga aftësia e tij për t’u integruar. Te Barcelona duhet të ketë një koordinim maksimal midis departamenteve, trajneri ka fituar besimin e të gjithëve, jam shumë i lumtur”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit