Joan Laporta nuk ka dyshime për zgjedhjen e tij për, të sjellë gjermanin Hansi Flick në stolin e Barcelonës për sezonin sportiv 2024-2025. Numri një i klubit “blaugrana”, i intervistuar nga gazeta katalanase “Mundo Deportivo”, ka thënë se kishte tentuar të punësojë trajnerin gjerman që kur Xavi tha lamtumirë në fillim të vitit.
“Ne besuam se gjëja më e mirë për këtë ekip ishte një trajner i ri, i cili besonte në këtë grup, i bindur se me këta lojtarë mund të mposhtni këdo. Duke ditur që kishim një alternativë si Hansi Flick, i cili di shumë më tepër se ne, ne punuam për të përfunduar ardhjen e tij te Barcelona me sukses”, tha Laporta.
“Ai na dha shumë besim, duke filluar nga skuadra aktuale. Pamë një trajner me eksperiencë, me ndjenjë përgjegjësie, por edhe me llojin e lojës që ai aplikon në fushë: Presing dhe mbajtje e topit. Ai është një njeri serioz, i përgjegjshëm, i pjekur”, tha më tej presidenti i Barcelonës.
“Nuk është një njeri që shprehet shumë, por dukej shumë entuziast. Na dha besim duke na siguruar se do të shkojë shumë mirë. Flick do t’i përgatisë fizikisht lojtarët shumë mirë, si ata që luajnë, ashtu edhe ata që nuk luajnë. Ne i kërkuam Flick të fitonte dhe ai na tha se mund të marrë shumë nga ekipi aktual“, tha Laporta.