Laporta, sulm frontal ndaj Real Madridit. Më pas njofton: Superliga do të fillojë në vitin 2025

23 Mars 2024
12:35
Alfred Lleshi
back button

Sulmi frontal, pastaj një njoftim i rëndësishëm. Joan Laporta ka folur për polemikat e fundit që kanë përfshirë televizionin zyrtar të Real Madridit, i akuzuar për ndikim në punën e arbitrave spanjollë. Presidenti i Barcelonës, ​​në intervistën dhënë për “Mundo Deportivo”, nuk heziton ta përkufizojë atë që klubi kryeqytetas po bën si të “turpshme”:

“Unë jam ende i zemëruar dhe i indinjuar, sepse ajo që po bën televizioni i Real Madridit është turp. Çdo javë ata përpiqen të bëjnë presion ndaj arbitrave. Nëse Barcelona do t’i kishte bërë ato video, tashmë do të na kishin kriminalizuar dhe sanksionuar”.

Laporta pranon se marrëdhëniet me Real Madridin aktualisht nuk janë të mira për shkak të çështjes së arbitrimit dhe përfshirjes në “çështjen Negreira”: “Ajo që po bën Real Madridi është një lajthitje, kërkoi që hetimi të zgjatet, edhe pse nuk ka asnjë fakt të paligjshëm.

Me Negreira kishim vetëm marrëdhënie profesionale, siç e dëshmojnë raportet dhe videot që ai na ka siguruar. Madrilenët përpiqen të thonë se ne jemi ata që ndikojmë tek arbitrat, kur këtë gjë e bëjnë vetë”.

Nga ana tjetër, Barça ecën krah për krah me Real Madridin në projektin e Superligës Evropiane. Laporta shpjegon se është një çështje thjesht ekonomike dhe se katalanasit vazhdojnë të jenë të përfshirë: “Po ta kishim nisur këtë kompeticion dy vite më parë, do të kishim bërë shumë para. Do të jetë një garë shumë interesante, besoj se do të fillojë në vitin 2025”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit