E ardhmja e trajnerit Xavi në stolin e Barcelonës duket shumë larg. Marrëdhënia mes tij dhe presidentit Laporta duket se është prishur përfundimisht. Sipas “Mundo Deportivo” palët do të zhvillojnë një takim formal ditën e hënë.
Klubi do të presë edhe ndeshjen e fundit në La Liga ndaj Sevilla para se t’i komunikojë lamtumirën trajnerit Xavi. Në takim pritet të jetë edhe drejtori sportiv Deco si dhe gjithë presidenca e klubit katalanas.
Duket se Laporta ka marrë vendimin për t’ia besuar skuadrën trajnerit gjerman Hansi Flick. Ish-trajneri i kombëtares gjermane pret vetëm konfirmimin nga klubi katalanas, teksa ka refuzuar një ofertë për të drejtuar Chelsea.
Kjo nuk është hera e parë që Flick përflitet të jetë në stolin e Barcelona. Edhe pasi Xavi tha se do të lërë klubin në fund të sezonit, në janar, emri i trajnerit gjerman shihej si kandidati kryesor. Tashmë koha ka ardhur për të.