Lara Colturi arrin rezultatin historik, hyn në “top-10” në garën e sllallomit në Austri

17 Janar 2024
9:40
Telesport
back button

Vijon sezoni pozitiv i skiatores shqiptare Lara Colturi, që ka regjistruar rezultatin e saj më të mirë në garat e Kupës së Botës. Në garën e sllallomit zhvilluar në pistën e Flachau, në Austri, ajo u klasifikua në vendin e 9-të.

Ky është rezultati më i mirë për 17-vjeçaren Lara Colturi, teksa për herë të parë në karrierë renditet brenda “top-10” skiatoreve më të mira në Kupën e Botës. Rezultat ky që konfirmon formën e shkëlqyer të skiatores adoleshente, që po befason këtë sezon.

Pas zbritjes së parë, Colturi dha kohën 55”80, ndërsa në zbritjen e dytë ajo ndali kromometrin në kohën 56”04. Me kohën e përgjithshme 1’51”84, Lara Colturi e mbylli garën e Flachau në vendin e nëntë.

Tashmë renditja brenda “top-20” po kthehet në një formalitet për skiatoren e lindur në Itali, por që ka pasaportë shqiptare e garon për ngjyrat kuqezi. Ajo është në sezonin e saj të dytë në Kupën e Botës, por këtë vit ka bërë një hap të jashtëzakonshëm përpara.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit