“Harvard Business School”, një ndër institucionet më prestigjioze në botë, ka publikuar një dokument prej 24 faqesh, i cili analizon rastin e AC Milan, duke theksuar periudhën që nga ardhja e Gerry Cardinale dhe “RedBird” në krye të kuqezinjve italianë. Dokumenti përfshin pikëpamjet e figurave kryesore të klubit, përfshirë CEO-n e Milanit, Giorgio Furlani, i cili është gjithashtu ish-student i këtij institucioni. Më poshtë janë disa prej deklaratave të Furlanit:
Për vitet e Silvio Berlusconi-t: “Kam kujtime të gjalla nga koha kur shkoja në stadium me babanë tim. Para se të diplomohesha nga ‘Harvard Business School’ në maj 2007, shkova në Amerikën e Jugut me disa shokë të klasës. Ditën që Milani luajti finalen e Champions League kundër Liverpool-it, isha në mes të shkretëtirës Atacama në Kili dhe bëra gjithçka të mundur për të gjetur një televizor që ta shihja ndeshjen. Ajo ishte fitorja jonë e fundit në Champions”.
Për epokën e Yonghong Li: “Nuk e kisha menduar kurrë sportin si karrierë. Në atë kohë isha i përqendruar te financat, duke punuar si analist për ‘Silver Point Capital’ dhe më vonë për ‘Apollo Management’. Në vitin 2010 iu bashkova ‘Elliott’ si analist investimesh, duke u marrë me aksione publike dhe private, financime private dhe pasuri të paluajtshme. Motoja jonë ishte: Çdo ide investimi që dukej premtuese, do të vlerësohej.
Në fillim të vitit 2017, mora telefonatë nga një avokat, që më pyeti: A ke menduar ndonjëherë të investosh te Milani? Në atë kohë, mendova: Ekipet e futbollit gjithmonë humbasin para, ndaj iu përgjigja: A je në vete? Pse do ta bëja këtë? Më pas fillova të mësoja më shumë për situatën. Avokati shpjegoi se Yonghong Li kishte rënë dakord të paguante 740 milionë euro, por i mungonin 300 milionë dhe rrezikonte të humbiste 200 milionët e tij nëse nuk siguronte fondet brenda tri javësh”.
Për kalimin te Elliott dhe menaxhimi i Milanit: “Yonghong Li ndaloi së investuari para në klub deri në korrik 2018. Kur dështoi në shlyerjen e huasë, ‘Elliott’ mori klubin në dorëzim. Të thuash se Milani ishte i keqmenaxhuar, do të ishte fyerje për kompanitë që menaxhohen keq. Nuk menaxhohej fare. ‘Elliott’ nuk kishte për qëllim të drejtonte një klub futbolli; ishte një lloj investimi krejtësisht i ndryshëm. Duhej të kuptonim shpejt rrugën më të mirë për të vazhduar përpara”.
Diferencat mes ‘Elliott’ dhe ‘RedBird’: “Për ‘Elliott’, prioriteti ishte të ristrukturonte ekipin dhe të ndalte humbjet financiare. Për ‘RedBird’, prioriteti është të përmirësohet ekipi për të avancuar biznesin. Ndërsa ‘Elliott’ ishte i fokusuar kryesisht tek aspekti sportiv, tani fokusi është ndarë në mënyrë të barabartë mes sportit dhe biznesit”.
Për rezultatet nën drejtimin e ‘Elliott’: “Pas shtatë viteve mungesë në Champions League, u kualifikuam në fund të sezonit 2020-2021. Në maj 2022, në ndeshjen e fundit të sezonit fituam titullin. Pas fitores, pati një paradë nëpër qytet. Dy autobusë të hapur që mbanin lojtarët dhe stafin u nisën nga ‘Casa Milan’ dhe shkuan drejt ‘Duomo’-s. Një udhëtim që zakonisht zgjat 10 minuta, atë ditë zgjati shtatë orë, pasi qindra, mijëra njerëz mbushën rrugët për të festuar me ne”.
Për largimin e Paolo Maldinit: “Ta lejonim Maldinin të largohej ishte një vendim historik, duke marrë parasysh atë që përfaqëson për klubin dhe autoritetin e tij. Për ta realizuar vizionin e Gerry për klubin, duhej të ndryshonim dhe të ecnim përpara”.
Për presionin te Milani: “Isha i vetëdijshëm për luhatshmërinë që vjen me vëmendjen e mediave dhe tifozëve, por nuk mund t’i shpëtosh asaj që thuhet në televizion apo asaj që shkruhet në gazeta. Në ditët e këqija, kjo të prek shumë. Ditët më të këqija janë kur merr kërcënime për jetën, si kur shitëm Tonalin, një nga lojtarët tanë më të mirë. Në ato momente, mendova: Mirë, por këto gjëra nuk t’i mësojnë në ‘Harvard Business School’. Duhej të mendonim për investimin në lojtarë dhe menaxhimin financiar. Shitja e një lojtari për 70 milionë euro është marrëveshje e shkëlqyer, veçanërisht për një biznes që gjeneron 400 milionë euro në total. Nëse i reinveston këto para te katër lojtarë prej 20 milionë euro secili dhe të gjithë dështojnë, vlera e tyre bie dhe nuk mund t’i shesësh më. Menaxhimi financiar i ekipit është thelbësor”.
Për të ardhmen e klubit kuqezi: “Dua të vazhdoj të ndërtoj një organizatë që është e gatshme të kapitalizojë suksesin tonë në fushë me iniciativa komerciale jashtë saj. Jemi ende shumë të varur nga suksesi sportiv, por kemi bërë përparime të mëdha për të reduktuar rreziqet. Ka ende shumë për të bërë. AC Milan është investimi më i madh kapital i ‘RedBird’ dhe ndoshta më i spikaturi, ndaj e kuptoj nevojën për të bërë përparime”.