Largohet nga Napoli për Juventus-in, mjaftojnë 40 milionë euro

21 Maj 2022
15:51
Denis Hakanaj
back button

Juventus nuk do të kalojë një tjetër sezon pa tituj. Në intervista të ndryshme, në këtë fund të sezonit, trajneri Allegri dhe futbollistët e tij kanë thënë: bardhezinjtë duhet të luftojnë për titullin sezonin e ardhshëm.

Një objektiv që mund të arrihet vetëm falë disa lëvizjeve të goditura në merkaton e futbollit. Dy nga këto lëvizje mund të jenë Paul Pogba dhe Di Maria, të cilët mund të garantojnë cilësi, eksperiencë dhe aftësi për të fituar.

Por nuk do të mjaftojnë sepse duhet zëvendësuar edhe një lojtar si Giorgio Chiellini dhe kjo nuk do të jetë aspak e lehtë për t’u bërë. Ëndrra e Juventus-it është ta zëvendësojë me yllin e Napoli-t, Kalidou Koulibaly.

Qendërmbrojtësi ka qenë një nga më të mirët e Serisë A në vitet e fundit, aq sa vlerësimi i Napoli-t për të ka qenë gjithmonë shumë i lartë, aq sa ka frikësuar klubet më të mëdha të Europës.

Megjithatë, tani, situata mund të ndryshojë për shkak se kontrata e lojtarit skadon në qershorin e vitit 2023. Sipas La Gazzetta dello Sport, pikërisht Juventus-i është një nga klubet kryesore që interesohet për lojtarin, bashkë me Barcelona-n.

Katalanasit janë të gatshëm të ofrojnë edhe lojtarë në këmbim, por Napoli do vetëm para dhe më saktësisht 40 milionë euro. Për këtë, me këto shifra, Zonja e Vjetër mund të provojë të hidhet në sulm, duke e ditur se negociatat me Napoli-n nuk do të jenë aspak të lehta.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit