Marcus Thuram, sulmuesi i Interit, foli në filmin dokumentar “Intergalactic”, krijuar nga “Lega Serie A” për të festuar titullin e zikaltërve: “Kur firmosa, e dija se synonim të fitonim kampionatin. Të kthehesha në Itali ishte pak si të vija në shtëpi. Kam kaluar 10 vite këtu, kam shkuar në shkollë, kam pasur miq në Torino dhe Parma. Pra, ishte si të rinisja diçka që kishte ndaluar më parë”.
Cila është marrëdhënia juaj me Lautaron?
Ne e plotësojmë njëri-tjetrin mirë, sepse ai është një lojtar shumë inteligjent. Ajo që unë e konsideroj shumë frymëzuese është teknika dhe aftësia e tij për të lëvizur në fushë. Lautaro është një nga sulmuesit më të mirë në botë, një lider i jashtëzakonshëm për Interin, kapiteni ynë. Ai bën diferencën në ndeshjet e mëdha, edhe jashtë fushës është i jashtëzakonshëm. Një mik i dashur dhe një person me të cilin më pëlqen të kaloj gjithë kohën time. Është një nga lojtarët më të rëndësishëm në kombëtaren e tij dhe tek Interi, sakrifikon veten për ekipin, bën diferencën.
Si i përjetuat ndeshjet kundër Milanit?
Derbet e fazës së parë dhe të dytë nuk i kam përjetuar në të njëjtën mënyrë. Derbi i parë ishte një nga ndeshjet e para me Interin, njerëzit nuk më njihnin. Në ndeshjen e kthimit ndjeva peshën e të gjithëve, objektivin që mund të arrinim, titullin.
Një nga protagonistët e mëdhenj ishte Hakan Calhanoglu…
Një shok shumë i dashur, gjithmonë qesh si unë. Hakan gjithmonë qesh, i pëlqen të kërcejë dhe është si DJ. Një person i jashtëzakonshëm. Kur mbërrita tek Interi më tha që nuk kishte qenë ‘regjisor’ i lojës më parë, ky ishte viti i tij i parë. Në atë rol nuk e besova për mënyrën sesi luan, për mënyrën sesi e trajton topin. Ai është zemra jonë, lideri ynë me Lautaron. Kur ai është mirë, ne jemi mirë të gjithë.