Nëse ka një protagonist që është më… protagonist se të tjerët në “Inter, due stelle sul cuore”, filmi që tregon historinë e titullit të 20-të të zikaltërve, sigurisht që është Lautaro Martinez. Argjentinasi i rijetoi emocionet e sezonit të kaluar në këtë mënyrë:
“Ky yll i dytë do të mbetet brenda meje përgjithmonë, njësoj si te shokët e skuadrës. Ishte një gjë e veçantë, kjo është e vërteta. Në nivel klubesh ishte emocioni më i madh i jetës sime. Pastaj, sigurisht që Kupa e Botës me Argjentinën ishte ëndrra ime si fëmijë. Është shumë e vështirë të bësh një renditje të këtyre suksesve”.
Kapiteni i Interit, duke folur për “Gazzetta dello Sport”, zgjodhi një fragment mbi të gjitha, që e përshkruan kampionatin e kaluar: “Në bilbilin e fundit të derbit më 22 prill (ai i sigurisë matematikore të titulli) do të kisha dashur të vrapoja nën kurbën e tifozëve, por nuk munda, sepse u bllokova nga emocionet në ato momente.
Më erdhën në mendje edhe momentet e vështira që përjetova me grupin (ndoshta duke iu referuar titullit të humbur më 2022, me “fotofinish” karshi Milanit). Në të njëjtën kohë lindi dëshira për të shkuar më tej, sepse u shpërblye puna në grup”.
Është e drejtë ta festosh të shkuarën, po aq e drejtë sa të shikosh nga e ardhmja: “Filma të rinj si ky? Le të shpresojmë… ‘Oscar’ për aktrim apo ‘Topi i Artë’ është më i lehtë? ‘Topi i Artë’ (qesh). Titulli i yllit të dytë për ne është i rëndësishëm, por nuk duhet të ndalemi. Duhet të vazhdojmë të fitojmë më shumë trofe dhe ta çojmë Interin sa më lart që të jetë e mundur”.