Lautaro Martinez, kokë më kokë me shokët e skuadrës: Mjerë ne nëse e bëjmë këtë ndaj Juventusit

26 Tetor 2024
9:43
Alfred Lleshi
back button

Lautaro Martinez bën kapitenin e vërtetë para Inter-Juventus. Qendërsulmuesi argjentinas i zikaltërve, siç raporton “Gazzetta dello Sport”, i ka motivuar bashkëlojtarët e tij në “Appiano” para ndeshjes kundër bardhezinjve me qëllim që të shmangin “rënien e tensionit”. Shkundja ka si synim të mos përsëritet ajo që ndodhi disa javë më parë në Derbin e Madoninës.

Gjatë gjithë mëngjesit të kaluar në qendrën sportive, “El Toro” gjeti një moment të përbashkët me të gjithë bashkëlojtarët e tij për t’u motivuar. Ndërhyrja e kapitenit të Interit është sinjal vigjilence maksimale, duhet shmangur qasja e gabuar ndaj Milanit.

Mesazhi i kapitenit për zikaltrit mësohet se ka qenë pak a shumë i tillë për “shokët e armëve”: Mjerë ne nëse e nënvlerësojmë Juventusin. Mos të mashtrohemi nga humbja e bardhezinjve në Champions League, kundër Shtutgartit në mesjavë. Pra, bindja e të besuarve të Simonë Inzaghit është e qartë: do të duhet një Inter i madh për t’i mposhtur bardhezinjtë e Motta.

Me 7 ndryshime në 11-shen startuese, mes ndeshjes ndaj Romës dhe asaj kundër Young Boys, trajneri Inzaghi tregoi se beson thellë te rotacioni. Ai ka planifikuar edhe 6 ndryshime të tjera në formacion, përpara ndeshjes kundër Juventusit.

Pra, ka nisur ta shfrytëzojë thellësinë e grupit të lojtarëve zikaltër, që ka në dispozicion, në një mënyrë shumë të kalibruar, bazuar te kalendari i ngjeshur. Në këtë fazë të sezonit, në fakt duket se trajneri i ka dhënë përparësi kampionatit, por duhet marrë parasysh kalibri i kundërshtarëve që do të përballen në Europë. Ndaj do të jetë interesante të shihet se si Inzaghi do t’i menaxhojë ndeshjet kundër Arsenalit dhe Napolit, të planifikuar me vetëm 4 ditë diferencë.

E sigurt është se që nga ardhja e tij në pankinën e Interit, trajneri ka ndryshuar jashtëzakonisht përsa i përket përdorimit të rotacionit. Mendoni vetëm përvojën e tij me Lazion, ku angazhimi i titullarëve ishte rraskapitës dhe i vazhdueshëm. Ndër arsyet e këtij ndryshimi është edhe skuadra e plotë zikaltër, me nga dy apo tri alternativa  në çdo pozicion.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit