Lazio në emergjencë totale. Strakosha në izolim, Inzaghi ia beson sulmin Muriqit

4 Nëntor 2020
11:27
Alfred Lleshi
back button

Në urgjencë të plotë për shkak të koronavirusit, Lazio fluturon për në Rusi, ku do të sfidojë Zenit Shën Petersburg, në xhiron e tretë të grupit F të Ligës së Kampionëve. Bardhekaltrit kanë mundur Borussia Dortmund dhe Club Brugge në dy ndeshjet e para; ndërsa tani synojnë të bëjnë “tripletë”, edhe pse në një klimë të vështirë.

Trajneri Inzaghi ishte i shqetësuar për shkak të kaosit të mosgrumbullimit të Immobile, Leiva dhe Strakosha. Të tre këta futbollistë ishin thirrur për ndeshjen kundër Torinos, por nuk fluturuan për në Rusi. Prokurori Federal i FIGC ka hapur një hetim, ndërkohë që Lazio u përpoq të sqaronte me një njoftim për shtyp: “Testet e kryera dje për kompeticionin europian konfirmuan pozitivitetin e disa pjesëtarëve të ekipit, të cilët janë tashmë në izolim. Në të njëjtën kohë, kompania e kontraktuar mjekësore vazhdon të monitorojë periodikisht Lazio përmes laboratorëve të kualifikuar. Ajo ka zbuluar probleme të mundshme në lidhje me rezultatet e marra nga organizata europiane dhe, në një klimë bashkëpunimi të plotë dhe mbrojtje të shëndetit të të gjithë grupit dhe komunitetit të gjerë, po vlerëson pozicionet individuale të disa lojtarëve”.

Për udhëtimin e vështirë në “Gazprom Arena”, Simone Inzaghi nuk do të jetë në gjendje të llogarisë pothuajse një formacion të tërë: Strakosha, Radu, Escalante, D.Anderson, Lazzari, Lulic, Leiva, Luis Alberto dhe Immobile. Krahasuar me formacionin që doli në fushë të dielën kundër Torinos, mund të ketë vetëm një risi: hyrja e Akpa-Akpro në mesfushë dhe lëvizja e Pereira përpara, afër Muriqit, në sulm. Kosovari është favorit për sulmuesin kryesor, me Correa dhe Caicedo si armë shtesë nga stoli. Përveç të dyve, Caicedo dhe Patric, plus Armini, mes emrave të mëdhenj, janë elementët e vetëm të ekipit të parë, që duhet të ulen në stol.

Ja formacionet e mundshme:
ZENIT (4-3-3): M. Kerzhakov; Karavaev, Lovren, Rakitskiy, Douglas Santos; Wendel, Barrios, Ozdoev; Kuzyaev, Dzyuba, Erokhin.
LAZIO (3-5-2): Reina; Luiz Felipe, Hoedt, Acerbi; Marusic, Akpa Akpro, Parolo, Milinkovic-Savic, Fares; A. Pereira, Muriqi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit