Te Ferrari, vendi i tretë në kampionatin e pilotëve të Formula 1 me Charles Leclerc dhe i dyti në kampionatin e konstruktorëve, u mirëprit si një rezultat i shkëlqyer, duke vënë theksin te rritja krahasuar me një vit më parë dhe tek konkurrueshmëria në pjesën e dytë të sezonit.
Nuk është rastësi që nga pushimet verore e në vazhdim Charles Leclerc ishte piloti që grumbulloi më shumë pikë (179) se të gjithë rivalët, duke ecur më mirë se Norris (175) dhe Verstappen (160).
Shefi i Ferrari, Frederic Vasseur, reflektoi për performancën e monegaskut gjatë një interviste për mediat italiane: “A është Leclerc gati për kampionatin botëror? Për mua po, tani është edhe më i pjekur dhe e qëndrueshëm. Fitoret në Monte Carlo, Monza dhe Austin tregojnë se ai mund të përballojë presionin, nuk është i brishtë në ato situata”.
Në perspektivën e çiftit Hamilton-Leclerc, Vasseur nuk sheh asnjë problem në horizont: “Kam ndjesi të mira. Ata e respektojnë njëri-tjetrin dhe do të bashkëpunojnë”.
“Charles ka qenë në dijeni të projektit që në fillim dhe unë besoj se edhe me ndihmën e Hamilton mund të fitojë titullin për pilotë. Edhe Hamilton mund të shpallet kampion bote, por unë do të vë bast për Ferrarin”, tha Vasseur