Graeme Souness, lojtar i Liverpool-it nga viti 1978 deri më 1984 dhe tri herë fitues i Ligës së Kampionëve (Kupës së Evropës) me “Reds”, e ka përcaktuar Mohamed Salah si “lojtarin më egoist që kam parë ndonjëherë”.
Kritikat nga Souness (70 vjeç) erdhën pak ditë pas incidentit të egjiptianit me Jürgen Klopp, kur duhej të futej në fushë për të luajtur kundër West Hamm. “Nëse flas sot…, do të kishte zjarr”, – tha “Faraoni” mbi atë që ndodhi mes tij dhe trajnerit gjerman, gjatë momentit të zëvendësimit, në sytë e gjithë botës (kamerave). Kjo ka ngritur dyshime për të ardhmen e sulmuesit egjiptian në Merseyside.
“Mo Salah ka një opinion jashtëzakonisht të gjerë për veten”, – tha Souness. Ish-futbollisti legjendar skocez ishte i qartë për të ardhmen e Salah: “Mendoj se Mohamed po largohet nga Premier League. Ai ka qenë përrallor për Liverpool-in, por nëse shkon në Arabinë Saudite, atëherë do të jetë ylli më i madh në atë pjesë të botës”.