Kishte kohë pa u thirrur në kombëtaren kuqezi, ndaj “lamtumira” në fakt ishte marrë si fakt i kryer. Megjithatë, vetëm sot e ka zyrtarizuar diçka të tillë Ermir Lenjani. Pas 10 vitesh me kombëtaren shqiptare, mesfushori ka vendosur të përshëndetet me fanellën kuqezi, të cilën e përfaqësoi me dinjitet, madje duke qenë edhe finalist i “Euro 2026”. Përmes rrjeteve sociale, Lenjani ka shkruar me këtë rast:
“10 VITE KUQEZI, 10 VITE KRENARI DHE REALIZIM I ËNDRRËS SË FËMIJËRISË.
Të dashur miq,
dua t’ju njoftoj se kam vendosur të tërhiqem nga kombëtarja shqiptare. Një vendim aspak i lehtë, por besoj që është momenti i duhur. Për mua ka qenë gjithmonë nder dhe përgjegjësi e madhe ta vesh fanellën e kombit tim.
Jam shumë krenar që emri im është pjesë e historisë së futbollit shqiptar dhe që ëndrra ime e fëmijërisë u realizua në vitin 2016, kur bëmë krenarë kombin kuqezi me përfaqësimin historik për herë të parë në një Kampionat Europian.
Kam plot momente të bukura me fanellën kuqezi, që nga debutimi në ndeshjen ndaj Bjellorusisë, te goli i parë në “Elbasan Arena” ndaj Danimarkës, fitorja historike në “Francë 2016” ndaj Rumanisë dhe grumbullimi im i fundit në muajin mars 2023 me kombëtaren, ku nisi edhe rruga drejt kualifikimit në “Euro 2024”.
I jam falënderues Zotit, familjes time dhe çdo personi që më ka qëndruar pranë në çdo moment. Çdo fillim e ka një fund dhe rrugëtimi im nuk do të ishte i mundur pa trajnerët Gianni De Biasi, Christian Panucci, Edoardo Reja dhe Sylvio Mendes Campos Júnior, të cilët dua t’i falënderoj nga zemra për besimin e dhënë.
Gjithashtu, dua të falënderoj stafin teknik të kombëtares, Federatën Shqiptare të Futbollit, Presidentin Armand Duka dhe të gjithë shokët e skuadrës që më kanë mbështetur në rrugëtimin më të veçantë të jetës time.
Në fund, falënderimi im më i madh është për tifozët e kombëtares shqiptare. Në çdo stadium në Shqipëri dhe Europë jemi ndjerë si në shtëpinë tonë, falë jush, tifozët më të mirë në botë. Tani e tutje jam si të gjithë ju, gjithmonë krah kombëtares shqiptare dhe djemve kuqezi.
Faleminderit nga zemra shqiptarë! Një kapitull i mbyllur, por një rrugë e përjetshme!”
Një rrugëtim i nisur në vitin 2013, që zgjati një dekadë dhe kulmoi me kualifikimin në finalet e “Euro 2016”. Plot 45 ndeshje me fanellën kuqezi dhe 6 gola të shënuar janë “paja” e Ermir Lenjanit, e cila e bën krenar për atë që ka arritur me kombëtaren shqiptare të futbollit, prej së cilës njoftoi sot tërheqjen zyrtare.