Lerda mendon si tifozët e kuq: Derbi nuk luhet, por fitohet!

12 Dhjetor 2019
12:44
Alfred Lleshi
back button

Nesër, në orën 19:00, në “Air Albania Stadium” do të luhet derbi i madh i kryeqytetit. Kjo do të jetë përballja e dytë sezonale mes Partizanit dhe Tiranës, ndërkohë që, referuar situatës pas tërmetit, derbi ka marrë edhe konotacion solidariteti. Gjysma e të ardhurave prej tij do të shkojë për nevojtarët, që mbetën pa shtëpi nga fatkeqësia tragjike natyrore e 26 nëntorit, me 51 të vdekur e qindra të plagosur. Trajneri Franco Lerda, që vjen nga humbja në Ballsh, është shfaqur i qetë në konferencën e sotme për shtyp, ku shfaqi edhe një dëshirë të çuditshme, ringritjen e bardhebluve, kundërshtarit të së premtes, i cili ka ndryshuar dy trajnerë deri tani. Ndër të tjera, italiani nënvizoi para gazetarëve:

“Derbi mbetet derbi, pavarësisht nga situatat në të cilat vijnë skuadrat. Si i tillë, nuk mendoj se ka favoritë. Skuadrat duhen përgatitur sa më mirë psikologjikisht, në mënyrë që të përballojnë një ndeshje të tillë me tension. Ne kemi mungesa, por mendoj se Partizani ka një grup të pasur lojtarësh, ndaj nuk e shoh si problem këtë gjë. Ato që do të luajnë janë përgatitur për ta përballuar mire sfidën me Tiranën. Forma e kundërshtarit? Unë mendoj se duhet të përqendrohemi te vetvetja, ta përgatisim sa më mire ndeshjen. E kemi nisur me analizën e humbjes ndaj Bylisit, për të nxjerrë mësimet e duhura.
  
Kundër Tiranës duhet të japim maksimumin, pa bërë asnjë gabim, sepse duhet ta kalojmë me sukses këtë sfidë. Formacioni? Ne ndryshojmë shpesh dhe askush nuk do të sakrifikohet. Çinari dhe Asani? Natyrisht, ne bëjmë ndryshime, por jo sakrifikime. Telushi, Broja dhe Mala? Lojtarët që nuk i kam në dispozicion, nuk i llogaris. Ata janë zero për këtë derbi. Të gjitha ndeshjet janë të vështira për t’u përgatitur, por kundër Tiranës duhet qartësi e qetësi psikologjike. Në kësi përballjesh ndikon edhe publiku me mediat. Do të luajmë në një stadium, ndër më të mirët. Është ndeshje me spektakël dhe shpresoj që të argëtohen të gjithë. 

Besoj se do të japin më të mirën, duke përligjur atmosferën e pritshme në stadium. Kjo është një ndeshje, ku duhet përgatitje speciale në çdo drejtim. Unë nuk lexoj shumë gazeta, por di se duhet të japim maksimumin. Pastaj, verdiktin e jep fusha. Në lojë janë tri rezultate. Gjashtë vite pa humbje në derbi? Të gjitha ndeshjet derbi janë të rëndësishme, ndaj duhet bërë paraqitje e mirë. Ka gjithë këto vite që Partizani merr rezultate pozitive ndaj Tiranës, kështu që do të mundohemi ta ruajmë vazhdimësinë. Do të ishte mjaft mirë për ne.  
Sa i përket frazës nëse luhet apo fitohet derbi, kjo është ndeshje që fitohet, duke parë mbështetjen dhe besimin që kanë tifozët. Duhet të fitohet, por për këtë nevojitet lojë perfekte. Shpresoj që edhe Tirana të ringrihet, të jetë brenda objektivave, por jo nga nesër. Tirana ka ndryshuar dy trajnerë në këtë kampionat? Është e vërtetë se kur ka ndryshime të tilla, vijnë edhe rezultatet, sepse lojtarët mobilizohen më shumë. Ajo që di është se Egbo ka qenë prej vitesh pjesë e stafit të Tiranës dhe i njeh mirë pikat e forta të skuadrës së tij”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit