Lerda vendos diktatin te Partizani, largon “besnikun” e Gegës

30 Tetor 2019
11:44
Alfred Lleshi

Franco Lerda votëbesohet sërish në krye të Partizanit. Presidenca e klubit të kuq ka zbatuar ultimatumin e tij, duke larguar “besnikun” e Skënder Gegës nga stafi teknik i kampionëve të vendit në fuqi. Pas zënkës së ashpër të së hënës, mbas barazimit pa gola ndaj Kukësit në “Selman Stermasi”, ka ardhur edhe vendimi i drejtuesve të “demave”. Dritan Mehmeti është “koka e prerë” e radhës, për t’i bërë qejfin trajnerit italian, i cili duket se ka mbështetje të fortë në “kullën e regjisë”. 

Pasi largoi bashkatdhetarin e vet, Korado Sakone (përgatitësin atletik), po për çështje “garipllëku” (kush je ti e kush jam unë), Lerda ia del të bëjë “kurban” edhe shiptarin Mehmeti, që u shpall kampion me Skënder Gegën dhe të kuqtë sezonin e kaluar. Mbetet të shihet çfarë fati do të ketë tashmë Jasir Asani, i cili thuhet si ishte “molla e sherrit” të fundit në kampin e kuq. 

Ndaj Kukësit, djaloshi i talentuar nga Shkupi nuk luajti fare, gjë që nuk u kapërdi nga Mehmeti. A do të vazhdojë hakmarrja e italianit, qoftë edhe në emër të rregullit, disiplinës e profesionalizmit? Kjo mbetet të shihet, por situata mes lojtarëve nuk është aspak e qetë. Mjafton një shkarje këmbe në rezultate, që përgjegjësia e drejtuesve të Partizanit të mos gjendet më në nivele të dyta, por te “strategu”. 

Fundja, shqiptarët e kanë një shprehje të bukur që thotë: kur peshku qelbet nga koka, nuk mund të pastrohet nga bishti… Duke e pasur të freskët rastin e Ardian Memës te Tirana, italiani Lerda duhet të kuptojë edhe pak shqip… Sa për gjaknxehtësi e shpërthime egoiste, shqiptarëve nuk ua kalon askush! 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit