“Lewa do të respektojë kontratën”, presidenti i Bayern-it: Për Mane ju them se…

19 Maj 2022
16:57
Denis Hakanaj
back button

E ka thënë më shumë se një herë këto ditë dhe e ka përsëritur për TZ. Presidenti i bayern Munich, Herbert Hainer, nuk i ka bërë asnjë lëshim Robert Lewandowski-t, e ardhmja e të cilit është në dyshim mes klubit gjerman dhe transferimit të mundshëm te Barcelona.

Numri një i bavarezëve ka dashur të konfirmojë pozicionin e klubit në lidhje me të ardhmen e sulmuesit polak: “Lewandowski shënon shumë gola vit pas viti. Pse duhet ta shesim? Nuk ka asnjë zëvendësues për të”, ka thënë Hainer.

“E kam thënë shumë herë: Robert Lewandowski ka një kontratë deri më 30 qershor 2023 dhe do ta respektojë”. Fjalë që përjashtojnë transferimin e lojtarit te Barcelona.

Megjithatë, gjatë intervistës, presidenti i Bayern-it ka folur për një ndryshim të politikave të klubit për rinovimin e disa kontratave që mund ta shtyjnë klubin të realizojë marrëveshje më të shkurtra:

“T’i japim fund kontratave të gjata? Kjo politikë e kontratave afatgjata, shpesh trevjeçare, do të bllokonte para për shumë kohë, që nuk mund t’i investojmë te lojtarët më të rinj.

“Nga ana tjetër, duam të jemi edhe të ndershëm me lojtarët veteranë dhe të themi: ‘Rinovo për një vit, dhe nëse gjithçka shkon mirë, do të flasim përsëri’. Duhet të kemi fleksibilitet në këtë moment”.

Në fund, në lidhje me lëvizjet e mundshme të klubit në merkato: “Duam të fitojmë akoma në kampionat dhe të luftojmë në Champions për të triumfuar. Është e natyrshme që të shikojmë për mundësitë që ofron merkato”, ka thënë Hainer.

“Mane? Po shikojmë gjithçka në merkato, duke bërë gjithçka është e mundur për të vënë në fushë një skuadër konkurruese në nivel ndërkombëtar”, ka qenë përgjigja e Hainer kur është pyetur për sulmuesin e Liverpool-it.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit