Pesë lojtarë të Barcelona-s, duke përfshirë sulmuesin polak Robert Lewandowski, thuhet se janë ndjerë të keqtrajtuar nga trajneri Xavi, mes bisedimeve për shkarkimin e këtij të fundit nga klubi këtë verë.
Sipas gazetarëve të Mundo Deportivo, Fernando Polo dhe Sergio Sole, katër lojtarët e tjerë në skuadrën e Barcelona-s që ndjehen kështu janë Vitor Roque, Raphinha, Joao Felix dhe Ronald Araujo.
E ardhmja e Xavi te Barça thuhet se është e varur në një fije peri tani, pas komenteve të tij publike për situatën e dobët financiare të klubit përpara ndeshjes së Barçës kundër Almerias të enjten në mbrëmje.
Trajneri kishte njoftuar në janar se do të largohej nga klubi në verë. Megjithatë, ai ndryshoi mendje pas një takimi me presidentin e klubit Joan Laporta dhe drejtorin sportiv Deco dhe njoftoi se do të qëndronte në prill.
Megjithatë, gjërat morën një kthesë të keqe pasi ai foli për situatën e keqe ekonomike të klubit në një konferencë për shtyp para ndeshjes. Laporta tani ka vendosur të shkarkojë Xavi këtë verë, sipas raportimeve të shumta në Spanjë.
Gjatë konferencës së lartpërmendur për shtyp, Xavi tha se klubi katalanas nuk është në ‘të njëjtën gjendje’ si klubet e tjera për sa i përket fair play-it financiar.
“Për momentin, ne nuk jemi në të njëjtat kushte ekonomike si klubet e tjera. Tifozët duhet ta dinë. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk do të përpiqemi të arrijmë objektivat tanë”, tha spanjolli përmes ESPN.
Sipas AS, Laporta dëshiron të marrë një trajner që është më pozitiv për të ardhmen dhe është i zemëruar me Xavi për të folur publikisht për financat e klubit.
Megjithatë, shkarkimi i Xavi në këtë fazë mund t’i kushtojë Blaugranas financiarisht. Sipas SPORT, klubit mund t’i kushtojë rreth 18-20 milionë euro shkarkimi i trajnerit së bashku me stafin e tij.
Kontrata e tij aktuale është deri në vitin 2025 dhe mbetet për t’u parë se si do të shlyhet paga e tij, në rast se spanjollit i kërkohet të largohet nga klubi.