Lewandowski, ‘killeri’ i Barcelonës. Vitet kalojnë, por instinkti për golin mbetet i paprekur…

25 Gusht 2024
8:58
Alfred Lleshi
back button

Debutimi i Barçës në Montjuïc ishte madhështor. 46.448 spektatorë shijuan një pasdite vere në “Malin Magjik”. Flick ishte i guximshëm dhe plani shkoi mire. Pedri drejtoi “orkestrën” me talentin e tij të veçantë, Lamine shkëlqeu dhe bëri tribunat të kërcejnë, Raphinha la shpirtin në fushë, Ferran pati një performancë të shkëlqyer, Bernal “u diplomua” në ndeshjen e tij të dytë në La Liga, Koundé e “futi në xhep” praktikisht Nico Williams, Iñigo u rrit me hierarkinë dhe udhëheqjen e tij, Ter Stegen shpëtoi një gol që ishte pothuajse i sigurt, Cubarsi i guximshëm, Balde kujtoi se çfarë u bë me të dy sezone më pare, ndërsa Lewandowski shënoi përsëri.

Nëse kërkoni në enciklopedinë e futbollit se çfarë do të thotë të jesh ‘9’ i mirë, emri i Robert Lewandowski shfaqet në kuptimin e parë. Askush nuk e shpjegon punën e qendërsulmuesit më mirë se ai. Në një Barçë që shquhej për përsosmërinë e saj korale, ishte e vështirë të zgjidhej ‘MVP’ i ndeshjes së mbrëmshme, sepse individualisht të gjithë ishin në një nivel të lartë. Lewandowski ishte ‘vrasësi’, që i dha sërish tri pikët Barçës.

Ai e bëri këtë në “Mestalla”, në javën e parë të La Liga-s kundër Valencias, e përsëriti po ashtu mbrëmë. Ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për ta nisur mirë sezonin, polaku realizoi golin e fitores përsëri, kundër Athletic, në “Montjuïc”. Ishte e vështirë, sepse deri sa shënoi nuk pati fat. Në tentativën e katërt e tundi rrjetën e portës së kundërshtarit, pas asisteve të shkëlqyer nga Raphinha dhe Pedri.

Lewandowski e ka të qartë se çfarë është në këtë ekip: kryegolashënuesi. Dhe këmbëngulja, një emër që i përshtatet më mirë se ‘insistimi’, ka një shpërblim. Edhe pse nuk është rastësi. Sulmuesi nga Varshava dinte të gjente zonat ku duhej të ishte dhe Raphinha i palodhur, i cili luajti edhe një herë si mesfushor, i dërgonte tek ai topat për finalizim.

“Ai është 100 për qind, është shumë mirë, – tha Flick për polakun në fund të ndeshjes. – Në pjesën e parë ishte në gjendje të shënonte një ose dy gola, ai është një ‘vrasës’. Goli i dytë, shënuar prej tij, na dha tri pikët”.

Shifrat flasin vetë. Në listën e 10 lojtarëve që kanë shënuar më shumë se 44 gola në 71 ndeshjet e tyre të para në La Liga, Lewandowski është tashmë i dhjeti, pas Kempes, Stoichkov, Bebeto, Ronaldo, Van Nistelrooy, Cristiano Ronaldo, Falcao, Neymar dhe Suárez (të dhënat e Misterchip).

Ai është lojtari që i ka dhënë më shumë pikë skuadrës katalanase që kur mbërriti në La Liga, me 31 pikë, pas Sorloth (28) dhe Griezmann (26). Këtë javë ai mbushi 36 vjeç. Koha kalon, por instinkti i polakut mbetet i paprekur…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit